Kërko

Leoni XIV: shenjtëria nuk është privilegj për pak vetë, por dhuratë që angazhon çdo të pagëzuar

Duke vazhduar reflektimet e tij mbi Lumen Gentium, në audiencën e përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa u përqendrua në thirrjen universale për shenjtërinë e të gjithë besimtarëve. Kujtoi se martirizimi, "siç ka ndodhur gjithmonë e ndodh edhe sot", është forma më e lartë e shenjtërisë, e varfërisë, e pastërtisë dhe e dëgjesës. E theksoi edhe se varfëria, dlirësia dhe bindja janë format më të larta të shenjtërisë; “nuk janë receta që e pengojnë lirinë"

R.SH. - Vatikan

Shenjtëria është dhuratë që duhet mirëpritur me gëzim e angazhim. Në katekizmin  e sotëm, 8 prill, gjatë audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, Leoni XIV u kthye tek temat e Kushtetutës Konciliare Lumen Gentium, e cila trajton thirrjen universale për shenjtëri. Duket se i bën jehonë një shprehjeje simbolike të përdorur nga Papa Françesku, kur pati kujtuar "shenjtorët e portës pranë". Rruga drejt shenjtërisë është e hapur për të gjithë, nënvizoi Pasardhësi i Pjetrit; mjafton ta mirëpresësh me gatishmëri e vetëdije, sepse ka të bëjë me vetë thelbin e jetës së krishterë.

Jo një privilegj për pak

Të gjithë besimtarët, prandaj, janë të thirrur për shenjtëri, kujtoi Papa, e për thelbin e saj më të thellë: bamirësinë. Nuk është diçka e rezervuar për elitën, është për gjithë popullin e Zotit:

Shenjtëria, sipas Kushtetutës Konciliare, nuk është privilegj për pak veta, por dhuratë që e ngarkon çdo njeri të pagëzuar të përpiqet për përsosmërinë e bamirësisë, domethënë dashurinë e plotë për Zotin e të afërmin. Bamirësia është zemra e shenjtërisë për të cilën janë të thirrur të gjithë besimtarët.

  (@Vatican Media)

Gati për të dëshmuar Krishtin, deri në derdhjen e gjakut

Papa theksoi, gjithnjë në dritën e dokumentit konciliar, sa i rëndësishëm është  martirizimi, kulmi  i shenjtërisë. Një horizont jo i huaj për sot, krejt e kundërta, siç rikujtohet:

[...] çdo besimtar duhet të jetë i gatshëm ta pranojë Krishtin deri në pikën e fundit të gjakut, siç ka ngjarë gjithmonë, e siç ngjet edhe sot. Kjo gatishmëri për të dhënë dëshmi realizohet sa herë që të krishterët lënë shenja besimi e dashurie në shoqëri, duke punuar për drejtësinë.

Jo vetëm angazhimi etik, por edhe thelbi i jetës së krishterë

Të gjithë Sakramentet, e posaçërisht Eukaristia, përshtaten plotësisht me Krishtin, "modelin dhe masën e shenjtërisë". Papa thekson edhe dimensionin e shenjtërisë, që shkon përtej respektimit të thjeshtë të udhëzimeve morale, pasi shenjtëria, mund të themi, e krijon vetë adn që të bën të krishterë:

[...] shenjtëria nuk ka vetëm natyrë praktike, si të ishte angazhim i reduktueshëm  etik, sado i madh, por ka të bëjë me vetë thelbin e jetës së krishterë, si personale, ashtu edhe komunitare.

  (@VATICAN MEDIA)

Varfëri, bindje, dlirësi: jo zinxhirë, por dhurata çliruese

Papa Leoni citoi Shën Palin VI,  që na kujton se të gjithë të pagëzuarit duhet "të jenë shenjtorë, domethënë, me të vërtetë bijtë e tij të denjë, të fortë e besnikë". Pastaj lartoi jetën e kushtuar, e cila luan "rol vendimtar". Rekomandoi, në këtë drejtim, të mos i konsiderosh varfërinë, dlirësinë dhe bindjen si burgje:

Këto tre virtyte nuk janë receta që prangosin lirinë, por dhurata çliruese të Shpirtit Shenjt, përmes të cilave disa nga besimtarët i kushtohen plotësisht Zotit.

Shpjegon edhe kuptimin e secilit prej këtyre virtyteve: varfëria çliron "nga llogaritja dhe fitimi vetjak"; bindja, "nga dyshimi e sundimi"; dlirësia "është dhurata e një zemre të paprekur e të pastër në dashuri, në shërbim të Zotit e të Kishës".

Vuajtja, rrugë drejt shenjtërisë

Disa ditë pas Pashkëve të Ringjalljes, Ipeshkvi i Romës na fton të rimendojmë flijimin e Kryqëzimit, përmes të cilit "të gjithë u shpenguam e u shenjtëruam!".  E na siguron:

“Nuk ka përvojë njerëzore që Perëndia nuk e shpengon: e edhe vuajtjen, e jetuar në bashkim me mundimet e Zotit, që bëhet rrugë drejt shenjtërisë. Hiri, që e shndërron jetën, na forcon kështu në çdo sprovë: nuk na tregon si qëllim një ideal të largët, por takimin me Zotin, i cili u bë njeri për dashurinë”.

08 prill 2026, 11:21

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >