Kërko

Leoni XIV: Shpirti Shenjt bëftë të rritet një botë vëllazërore, ku mbretëron paqja

Gjatë kremtimit të lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa nxiti për ta thirrur Shpirtin Shenjt, që hap portat e fesë e që e shtyn Kishën të jetë "mikpritëse e dashamire për të gjithë". E hap zemrën e çdo njeriu, që të jetë i aftë për ta mundur "rezistencën, egoizmin, mosbesimin dhe paragjykimet" e kështu ta bëjë të lulëzojë vëllazërinë.

R.SH. / Vatikan

"Cilat porta i hap Shpirti?" është pyetja që bëri Papa Leoni gjatë katekizmit të sotëm, 24 maj, në lutjen mariane të Mbretëreshës Qiellore, e fundmja e vitit 2026. Në Sheshin e ngrohtë e me diell të Shën Pjetrit, Papa Prevost na fton të kundrojmë "dhuratën e Shpirtit Shenjt, të dhuruar me begati Kishës që po lind dhe të dhuruar përsëri edhe anëtarëve të saj, si drita dhe forca që i shoqëron në çdo situatë të jetës". Ftesa e Papës është ta thërrasim në lutje Shpirtin Shenjt “për t’i hapur të gjitha portat, që mbeten të mbyllura".

Duhet ta rizbulojmë Zotin si Atë që na do, të ndërtojmë një Kishë ku të gjithë të ndihen si në shtëpi të vet dhe të rrisim një botë vëllazërore ku mbretëron paqja ndërmjet mbarë popujve.

Takimi me fenë e vërtetë

Papa Leoni XIV tregoi tri "dyer" për t'u hapur, duke kujtuar rrëfimin e Veprave të Apostujve, që e përshkruajnë Shpirtin Shenjt si "erë e fuqishme" që hap çdo derë, "e i shtyn dishepujt të dalin dhe të shpallin Lajmin e Mirë të Krishtit të Ngjallur". Dera e parë për t’u hapur - pohon Leoni XIV - është ajo e vetë Zotit, i cili na dhuron "fenë e vërtetë, na ndihmon të kuptojmë domethënien e Shkrimeve Shenjte, na bën ta njohim si të afërt dhe na lejon të marrim pjesë në vetë jetën e tij".

Shpirti Shenjt na ndihmon të kemi përvojën personale të Zotit, ta takojmë në Jezusin dhe jo vetëm në respektimin e një ligji, ta njohim në veten tonë dhe të zbulojmë shenjat e pranisë së tij në të përditshmen.

Gjuha e dashurisë

Dera e fundit treguar nga Papa, është ajo e zemrës, e cila duhet të hapet për të lindur vëllazërinë ndërmjet popujve.

Shpirti Shenjt hap dyert e zemrave tona, duke na ndihmuar të kapërcejmë rezistencën, egoizmin, mosbesimin dhe paragjykimet, edhe duke na mundësuar të jetojmë si bij të Zotit e si vëllezër e motra për njëri-tjetrin. Atje ku është Shpirti i Zotit, vëllazëria lind ndërmjet individëve, grupeve dhe popujve të Tokës, dhe të gjithë flasin të vetmen gjuhë të dashurisë, e cila i bashkon dhe i harmonizon ndryshimet.

Kisha që mirëpret

"Dera e dytë" - nënvizoi Papa - është ajo e çenakullit, pra e Kishës". Era e Shpirtit Shhenjt largon frikën e shqetësimet "përballë sfidave të botës", pamundësinë për të dialoguar "me kohët që ndryshojnë", për të qenë, siç thoshte Papa Françesku, "Kishë me dyer të hapura".

Shpirti hap dyert e Kishës, që ajo të jetë e hapur e mikpritëse për të gjithë, madje edhe për ata që ia mbyllin dyert e tyre Zotit, të tjerëve, shpresës, gëzimit të jetës.

24 maj 2026, 14:42

Ç’është lutja e Mbretëreshës Qiellore?

Lutja fillestare e Mbretëreshës Qiellore, ose thjesht “Mbretëresha Qiellore”, është një nga katër lutjet mariane (të tjerat janë Alma Redemptoris Mater, Ave Regina Coelorum dhe Salve Regina).

Ishte Papa Benedikti XIV ai që, në vitin 1742, porositi të thuhej, në vend të Engjëllit të Tënzot, duke qëndruar në këmbë, si shenjë e fitores mbi vdekjen , gjatë Kohës së Pashkëve, domethënë, që nga e Diela e Pashkëve, deri tek Dita e Rrëshajëve.

Thuhet, ashtu si Engjëlli, tri herë në ditë: në  agim, në mesditë e në muzg, për t’ia kushtuar ditën Zotit e Marisë.

Kjo lutje e lashtë, sipas një tradite të përshpirtshme, duhet ta ketë fillesën  aty nga shekulli VI ose shekulli X, ndërsa përhapja e saj dokumentohet që nga gjysma e parë e shekullit XIII, kur u përfshi në Shkurtoren françeskane. Përbëhet nga katër fraza të shkurtëra, që përfundojnë me Aleluja e është lutja, që besimtarët ia drejtojnë Marisë, Mbretëreshë e Qiellit, për t’u gëzuar bashkë me të për ngjalljen e Krishtit.

Papa Françesku, më 6 prill 2015, pikërisht gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në ditën pas Pashkëve, foli për gjendjen shpirtërore, me të cilën duhet thënë kjo lutje:

“… i drejtohemi Marisë duke e ftuar të gëzojë, sepse Ai, që e mbajti në kraharor, u ngjall, siç pati premtuar, e ia besojmë veten ndërmjetësimit të saj. Në të vërtetë gëzimi ynë është pasqyrim i gëzimit të Marisë, sepse është ajo, që i ruajti e i ruan në zemër ngjarjet e jetës së Jezusit. Ta themi, prandaj, këtë lutje  me mallëngjimin e bijve, që janë të lum, sepse e Lume është edhe Nëna e tyre.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >