Kërko

Papa: e keqja e luftës nuk mposhtet nga një superfuqi, por nga dashuria

Në Solemnitetin e Rrëshajve, përmbushje e kohës së Pashkëve, Papa Leoni XIV kremtoi Meshën në Bazilikën e Vatikanit, në prani të 5 mijë vetëve. Në predikim, tregoi tre aspekte të forcës së Shpirtit, i cili na fton të lutemi për të shpëtuar nga konfliktet, për t’u shëruar "nga plaga e mëkatit" e për "ta çliruar njerëzimin nga mjerimi, që nuk shpengohet nga pasuria e pallogaritshme, por nga një dhuratë e pashtershme".

R.SH. / Vatikan

"Shpirti i Zotit e mbush tokën, aleluja". Asambleja e besimtarëve në Bazilikën e Vatikanit përsërit vargun e kënduar nga kori i Sikstinës të Dielën e Rrëshajëve, që kremtohet 50 ditë pas Pashkëve, për të kujtuar derdhjen e Shpirtit Shenjt nga ana e Jezusit në Çenakull mbi apostujt e mbledhur e të fshehur. "Vendi i Darkës së Mbrame dhe i tradhtisë" - deklaroi Papa Leoni në predikimin e Meshës, kremtuar sot paradite në Bazilikën e Shën Pjetrit, "transformohet dhe, nga varri i apostujve, bëhet për mbarë Kishën prehër i ringjalljes". Shpirti i tKrishtit të Ngjallur, shtoi Ati i Shenjtë, "nuk derdhet një herë e më pas mjafton, por vazhdimisht".

Të lutemi sot që Shpirti i të Ngjallurit të na shpëtojë nga e keqja e luftës, e cila nuk fitohet nga një superfuqi, por nga gjithëpushtetësia e dashurisë. Të lutemi ta çlirojë njerëzimin nga mjerimi, që nuk shëlbohet nga pasuria e pallogaritshme, por nga një dhuratë e pashtershme.

Të lutemi, vazhdoi Papa, për shërimin nga mëkati dhe për shëlbimin e popujve.

"Ky është hiri që u dha guxim Apostujve: na u dhëntë edhe neve, lutet ai, sot e përgjithmonë, me ndërmjetësimin e Marisë, Nënës së Kishës".

Plot me jetë

Jezusi hap dyert e çenakullit, dyert e frikës së apostujve, kalon përmes "vdekjes sonë" dhe na mbush me gëzim. Thotë: "Paqja qoftë me ju", dhe pastaj i fryn Shpirtit Shenjt mbi dishepujt. "I Ngjalluri është plot jetë pasi ka treguar jetën e trupit të tij, si njeri i vërtetë" - thekson Papa - ai e jep atë të Zotit, si Bir i dashur nga Ati".

Rrëshajët janë festa e Pashkëve e festa e korpit të Krishtit, që përmes hirit jemi ne.

Askush nuk përjashtohet

Papa Leoni u përqendrua, më pas, mbi tre aspekte që karakterizojnë Shpirtin Shenjt, i cili është para së gjithash, Shpirti i paqes. Një paqe që vjen nga falja dhe çon në falje: "nis me faljen e dhuruar nga vetë Jezusi, i cili ishte - shpjegon Ipeshkvi i Romës - i tradhtuar, i dënuar e i kryqëzuar nga ne", por që të çuditë duke të dhënë, nga ana tjetër, dashurinë dhe aftësinë për të falur kë ka mëkatuar.

Ky autoritet jepet si shenjë e pajtimit universal: Zoti derdh Shpirtin e paqes nga njëri skaj i historisë në tjetrin, sepse nuk përjashton askënd Ai, që i shëlboi të gjithë nga vdekja.

Mik i ëmbël i shpirtit

"Rrëshajët - pohon Papa - kremtohen si festim i Besëlidhjes së Re, domethënë, i aleancës ndërmjet Zotit dhe mbarë popujve të tokës". Ligji i Zotit është shkruar në zemër, "i gdhendur nga Shpirti me karaktere dashurie në korpin e Krishtit dhe në trupin e tij, që është Kisha".

Ky ligj është kod i paqes: është urdhërimi i dyfishtë i dashurisë, të cilin Shpirti na e kujton me çdo rrahje zemre. Me zemrat tona, pra, mund të thërrasim: "Veni Sancte Spiritus", sepse Ai na u dha tashmë. Mund ta dëshirojmë Atë, sepse  na u premtua tashmë. Mund ta mirëpresim, sepse Ai vetë është mysafiri i ëmbël i shpirtit.

Vepra e Zotit

Aspekti tjetër në të cilin u përqendrua Papa ishte Shpirti i misionit. "Si më  dërgoi Ati mua ", thotë  Jezusi, "edhe unë ju dërgoj ju": e kjo është përfshirja në veprën e Zotit. "Shpirti Shenjt", theksoi Papa Leoni XIV, "është dashuria e gjallë e Krishtit që na përshkon, na nxit dhe na mbështet në misionin tonë". Në ditën e Rrëshajëve apostujt fillojnë ta shpallin Jezusin në të gjitha gjuhët e botës; veprat e tyre fillojnë me besimin, i cili "shprehet në çdo vepër të mirë, në çdo akt mëshire e virtyti".

Prandaj, vepra e Zotit jemi ne, që vijmë këtu sot nga të katër anët e botës, të ftuar në tryezën e Zotit, të mbledhur për të dëgjuar fjalën e tij dhe të dërguar për ta dëshmuar atë kudo.

Energji të reja të jetës

"Ne jemi pjesëmarrës të Ungjillit: e gjithë Kisha - vazhdon Papa - është protagonisti i saj, jo vetëm kujdestari i saj. Me fuqinë e Shpirtit, mesazhi ynë mbushet me gëzim e shpresë, sepse ne, pikërisht ne, jemi risia e botës, drita dhe kripa e tokës. Jo të privilegjuar, por të prekur nga dhurata e Zotit, "që shenjtëron mëkatarin, shëron lebrozin, bën apostull atë, që e mohoi".

Nga njëra anë - e shohim qartë - ka ndryshime që nuk e ripërtërijnë botën, por e plakin mes gabimeve dhe dhunës. Nga ana tjetër, megjithatë, Shpirti Shenjt ndriçon mendjet dhe zgjon energji të reja jete në zemra. Kështu e transformon historinë, duke e hapur atë për shpëtim, domethënë për dhuratën që i vetmi Zot ndan me të gjithë. Misioni i Kishës dëshmon për këtë ndarje, duke e shndërruar konfuzionin e botës, në bashkim me Zotin dhe me njëri-tjetrin.

Fjala çliruese

Aspekti i fundit i Shpirtit është ai i së vërtetës. Jezu Krishti Zot bën thirrje për unitet në Kishën e tij, e Shpirti nxit në të vërtetë "sepse frymëzon në ne, pohon Papa Leoni, kuptimin, harmoninë dhe koherencën e jetës".

Parakliti, pra, na mbron nga çdo gjë që e pengon këtë kuptim: nga fraksionizmi, nga hipokrizia, nga tendencat që errësojnë dritën e Ungjillit. E vërteta që na jep Zoti mbetet, kështu, fjalë çliruese për të gjithë popujt,  mesazh që e shndërron çdo kulturë nga brenda.

Duke sjellë paqen e vërtetë, që është Krishti

Një Shpirt që punon pa pushim, na bën të krishterë në Pagëzim, dëshmitarë në Krezmim, shërbëtorë e barinj për popullin e Zotit në sakramentin e Urdhrave Shenjte. "Është dhënës i pushtetit, fuqisë, burim i shenjtërisë", thekson Papa, "që shumëfishon dhuratat dhe karizmat në lutje, në vepra mëshire, në studimin e fjalës së Zotit".Siç mëson Apostulli: "Secilit u është dhënë dukja e Shpirtit për të mirën e përbashkët" (1 Kor 12:7). Pikërisht për këtë arsye  jemi Kisha, i  vetmi trup që jeton nga Zoti dhe i shërben botës. Falë Shpirtit Shenjt, ne mund t'u sjellim të gjithëve një paqe të vërtetë, të vërtetën që shpëton, domethënë vetë Krishtin Zot.

Papa Leoni, me petkat e tij liturgjike të kuqe, ngjyrë që të kujton zjarrin dhe fuqinë shpërthyese të Shpirtit Shenjt, mban predikimin pas leximit të Ungjillit nga, të paraprirë nga Ndjekësorja. Është një këngë e lashtë liturgjike, një thirrje e përsëritur ndaj Shpirtit Shenjt, por edhe një lartim i dhuratës që përfaqëson Shpirti Shenjt: ngushëllues, strehë e rifreskues. Ndjekësorja më pas përqendrohet te njeriu, i cili pa Shpirtin është asgjë, duke e dhënë, është "vdekje  shenjte dhe gëzim i amshuar".

Në lutjen e besimtarëve, në gjuhë të ndryshme, mendimet drejtohen te zemrat e qeverive dhe të popujve, duke u kërkuar atyre të mirën e vërtetë, drejtësinë dhe paqen, e duke ushqyer dëshirën për vëllazëri. Lutje ofrohen edhe për ata që jetojnë prova e vuajtje, duke i kërkuar Shpirtit të ngushëllimit t’i shërojë zemrat e thyera dhe të ndezë një shkëndijë shprese. Në bashkëfestim me Papën ishin Kardinali Leonardo Sandri, Prefekt Nderi i Dikasteri të Vatikanit për Kishat Lindore dhe Zëvendës Dekan i Kolegjit të Kardinalëve, e Kardinali Francis Arinze, prefekt nderi i Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve.

24 maj 2026, 14:28

Ç’është lutja e Mbretëreshës Qiellore?

Lutja fillestare e Mbretëreshës Qiellore, ose thjesht “Mbretëresha Qiellore”, është një nga katër lutjet mariane (të tjerat janë Alma Redemptoris Mater, Ave Regina Coelorum dhe Salve Regina).

Ishte Papa Benedikti XIV ai që, në vitin 1742, porositi të thuhej, në vend të Engjëllit të Tënzot, duke qëndruar në këmbë, si shenjë e fitores mbi vdekjen , gjatë Kohës së Pashkëve, domethënë, që nga e Diela e Pashkëve, deri tek Dita e Rrëshajëve.

Thuhet, ashtu si Engjëlli, tri herë në ditë: në  agim, në mesditë e në muzg, për t’ia kushtuar ditën Zotit e Marisë.

Kjo lutje e lashtë, sipas një tradite të përshpirtshme, duhet ta ketë fillesën  aty nga shekulli VI ose shekulli X, ndërsa përhapja e saj dokumentohet që nga gjysma e parë e shekullit XIII, kur u përfshi në Shkurtoren françeskane. Përbëhet nga katër fraza të shkurtëra, që përfundojnë me Aleluja e është lutja, që besimtarët ia drejtojnë Marisë, Mbretëreshë e Qiellit, për t’u gëzuar bashkë me të për ngjalljen e Krishtit.

Papa Françesku, më 6 prill 2015, pikërisht gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në ditën pas Pashkëve, foli për gjendjen shpirtërore, me të cilën duhet thënë kjo lutje:

“… i drejtohemi Marisë duke e ftuar të gëzojë, sepse Ai, që e mbajti në kraharor, u ngjall, siç pati premtuar, e ia besojmë veten ndërmjetësimit të saj. Në të vërtetë gëzimi ynë është pasqyrim i gëzimit të Marisë, sepse është ajo, që i ruajti e i ruan në zemër ngjarjet e jetës së Jezusit. Ta themi, prandaj, këtë lutje  me mallëngjimin e bijve, që janë të lum, sepse e Lume është edhe Nëna e tyre.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >