Papa: dhurata e vetvetes për dashuri është zemra e urtisë së Jezusit

Gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit, Leoni XIV na nxit ta ndajmë jetën e Krishtit deri në kryq, barrë "e ëmbël", sepse Zoti nuk na lë vetëm në atë që na rëndon: "Në skllavëri, Krishti është çlirim. Nën plagën e luftës, Krishti është shpresë. Në orën e mëkatit, Krishti është falje".

Vatican News

Zoti "dëshiron t'ua zbulojë veten 'të vegjëlve', ndërsa mbetet i fshehur 'për të mençurit e të diturit'". Ky është stili i Zotit, për të cilin Papa foli sot, më 5 korrik, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, duke komentuar Ungjillin e liturgjisë së kësaj së diele të 14të gjatë vitit kishtar nga Mateu. Rreth 18.000 besimtarë e shtegtarë u mblodhën në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, në këtë të diel të parë të korrikut. Në qendër të katekizmit të Leonit XIV ishte një reflektim mbi urtinë e vërtetë të Jezusit.

Urtia e vërtetë u zbulohet të vegjëlve

Të diturit - theksoi Papa - janë plot me idetë e tyre "të cilat nuk e njohin praninë e Krishtit". "Urtia njerëzore - vërejti në vijim - bëhet më pas arrogancë, e doktrina, krenari", ndërsa "urtia e vërtetë e Zotit zbulohet në përvujtërinë e korpit dhe mësimi i tij u drejtohet 'të lodhurve dhe të shtypurve'".

Dhurata e vetes për dashurinë, është zemra e dijes së Jezusit.

Më pas Leoni na kujtoi se "të shkosh te Jezusi" do të thotë "ta ndash jetën e tij deri në kryq, siç na e shpjegoi Ai vetë: 'Nëse dikush do të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë kryqin e tij dhe të më ndjekë'". "Dhurata e vetes nga dashuria - theksoi - është 'zgjedha' e Jezusit, domethënë sinteza e mësimit të tij, zemra e mençurisë së tij, që digjet nga dashuria për  të gjithë".

Urtia është shpallje shpëtimi, që na ngre nga çdo rënie

Megjithatë, lind një pyetje kryesore: si mund të jetë pesha e kryqit "e lehtë" dhe "e butë"?

Vetëm për një arsye: sepse Zoti e mbart atë i pari e edhe me të gjithë ne, duke mos na braktisur kurrë në atë, që na rëndon. Si mësues i vërtetë, Jezusi merr mbi vete barrën e njerëzimit të plagosur nga e keqja, për t'u kujdesur për të. Urtia që na jep është, kështu, shpallje shpëtimi, ndërsa  zgjedha e tij na ngre nga çdo rënie.

Vetëm në kryqin e Jezusit shëlbohet e keqja

Duke ndjekur Krishtin, Papa na kujton se "udhëtimi ynë nuk është  asketizëm poshtërues", por "shkollë lirie, e cila e merr seriozisht dramën e historisë dhe e ndriçon gjithnjë kuptimin e saj, veçanërisht në çastet më të errëta". "Në të vërtetë - thekson ai - vetëm në kryqin e Jezusit shëlbohet e keqja: vetëm në mundimin e tij lodhja jonë e vdekshme gjen ngushëllim e shpengim".

Në skllavëri, Krishti është çlirim. Nën plagën e luftës, Krishti është shpresë. Në orën e mëkatit, Krishti është falje. Kjo është urtia e vërtetë, domethënë rruga që dëshirojmë të përshkojmë së bashku, të bashkuar si dishepuj në emrin e tij.

Jezusi "na mëson këtë urti si Bir, duke u bërë vëllai ynë", shpjegon Papa, dhe "me fuqinë e Shpirtit Shenjt, Ai vetë ia shpreh Kishës të vërtetën e Zotit dhe të njerëzimit".

Leoni XIV përfundon duke kërkuar "ndërmjetësimin e Marisë, Mbretëreshës së Paqes, për të mirën e Kishës dhe të mbarë botës".

05 korrik 2026, 14:35

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >