Papa: Maria na tregon rrugën drejt jetës së amshuar

Në katekezën e Engjëllit të Tënzot për festën e Zojës së Ngjitur në Qiell, në Castel Gandolfo, Leoni XIV kujton ikonografinë e artit që ka paraqitur misterin e ngjitjes në Qiell të Nënës së Zotit, qoftë përmes “fjetjes” së saj, qoftë përmes figurës së Marisë në qiell, të mbështjellë me dritë dhe të rrethuar nga engjëj e shenjtorë. Dy modele që përfaqësojnë “të vërtetën qendrore”: “Krishti i vdekur dhe i ringjallur, i cili na çon drejt cakut për të cilin kemi qenë të destinuar që prej fillimit

Vatican News

Nga njëra anë është “Fjetja” e Nënës së Zotit; nga ana tjetër, Virgjëra Mari në Qiell, e mbështjellë me dritë dhe e rrethuar nga engjëj e shenjtorë. Papa Leoni XIV i referohet ikonografisë së artit për të na ndihmuar të sodisim misterin e Ngjitjes së Virgjrës Mari në Qiell.

“Është një festë me rëndësi të madhe, si për teologjinë katolike, ashtu edhe për përshpirtërinë popullore”, tha Papa në katekezën e lutjes së tome mariane të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në mesditë në Castel Gandolfo, duke folur për këtë “festë shumë të dashur në kaq shumë bashkësi”.

Caku i jetës së amshuar

Modeli i parë që kujton Papa, dhe njëkohësisht më i lashti, është ai i “Fjetjes” së Nënës së Zotit. Për gati një mijë vjet, kjo ishte mënyra kryesore për të paraqitur misterin e saj. Maria shfaqet e shtrirë mbi një shtrat mortor, në gjumin e vdekjes; përreth janë apostujt që e nderojnë të prekur dhe në lutje. Në qendër qëndron Jezusi i Ngjallur, i cili mban në krahë shpirtin e Marisë, si një fëmijë të sapolindur.

Krishti ka ardhur ta marrë Marinë për ta çuar me vete në lavdinë e Zotit, në Qiell. Kjo paraqitet simbolikisht si përmbushje e premtimit që Zoti u ka bërë të gjithë miqve të tij: “Kur të shkoj […] dhe t’ju përgatis një vend, do të vij përsëri dhe do t’ju marr me vete”.

Ky model artistik nxjerr në pah “të vërtetën qendrore”: “Është Krishti i vdekur dhe i ngjallur që na çon drejt cakut për të cilin jemi të destinuar që prej fillimit: jetës së amshuar”. Besimtarët brez pas brezi e kanë soditur këtë mister duke u lutur përpara ikonave të Fjetjes së Marisë. Një paraqitje e tillë mund të shihet edhe në mozaikun e madh të absidës së Bazilikës së Shën Marisë së Madhe në Romë.

Përgjithmonë në lavdi

Më pas u zhvillua në Perëndim një ikonografi më e re, që paraqet Virgjrën Mari të plotë në qiell, të mbështjellë me dritë dhe shpesh të rrethuar nga engjëj e shenjtorë.

Në qendër është trupi i lavdishëm i Marisë, në përputhje me fjalët e Librit të Zbulesës të shën Gjonit: “Një shenjë e madhe u shfaq në qiell: një grua e veshur me diell, me hënën nën këmbët e saj dhe mbi kokë një kurorë me dymbëdhjetë yje”.

Disa artistë, vëren Papa Leoni XIV, kanë bashkuar të dyja paraqitjet: sipër kanë vendosur Marinë e lavdishme, ndërsa poshtë kanë paraqitur varrin e saj bosh, shpesh të mbushur me lule shumëngjyrëshe, me apostujt që e shikojnë atë në qiell.

Ky model i dytë thekson të vërtetën se Maria është ngritur në Qiell me shpirt e trup, domethënë në tërësinë e personit të saj. Ajo grua që në tokë i dha trup dhe gjak Fjalës së Zotit të mishëruar, Jezu Krishtit dhe e ndoqi deri në bashkimin e përsosur me të në flijimin e dashurisë, prej tij është tërhequr përgjithmonë në lavdi.

Festa që nuk ka fund

Edhe kjo ikonografi na ndihmon të sodisim “fatin përfundimtar” të çdo burri dhe çdo gruaje. “Plotësia e jetës që sot e admirojmë me gëzim te Maria, na pret edhe ne në fund të kohëve”, tha Papa. Atëherë, siç thotë Shën Pali, Krishti i Ngjallur do ta shndërrojë trupin tonë të brishtë dhe do ta bëjë të ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm. “Atëherë, me trupin tonë të shndërruar nga dashuria e Shëlbuesit Jezus, do të jetojmë përgjithmonë, në festën që nuk ka fund”.



15 gusht 2026, 09:56

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >