Papa Françesku lutet për paqen në Liban: më 1 korrik, takimi në Vatikan
R. SH. - Vatikan
Nga dritarja e Engjëllit arrin një njoftim i rëndësishëm: më 1 korrik, në Vatikan, Papa Françesku do të takohet me përfaqësuesit e bashkësisë së krishterë të Libanit për t’u lutur së bashku për paqe e stabilitet. Kohët e fundit vendi i Kedrave po zë faqet e para në mediat ndërkombëtare, për shkak të krizës së rëndë ekonomike-financiare, shkaktuar edhe nga pandemia, që pothuajse prej dy vjetësh i ka gjunjëzuar këto troje tejet të lashta e mozaik fesh. Por nuk është vetëm kjo, që e shqetëson Papën. Përgatitja e takimit ka në sfond situatën e ndërlikuar në Liban, me ndikim edhe mbi konfliktin izraelito-palestinez, siç e dëshmon qartë flakja e raketave, pak ditë më parë, nga zona e Rashaya al Fuqar, drejt Izraelit. Klasa politike libaneze nuk e ka aspak të lehtë t’i kapërcejë vështirësitë që duken të pakapërcyeshme e që frenojnë prej disa muajsh formimin e qeverisë së re, të domosdoshme, sepse përndryshe Beiruti nuk mund t’i marrë ndihmat ndërkombëtare, që i duhen popullsisë për të shpëtuar nga uria, nga varfëria e nga sëmundjet:
“Më 1 korrikun e ardhshëm do të takohem, në Vatikan, me drejtuesit kryesorë të bashkësisë së krishterë, të pranishëm në Liban, për një Ditë reflektimi mbi situatën shqetësuese të vendit e për t’u lutur së bashku për dhuratën e paqes e të stabilitetit. Ia besoj këtë ndjet ndërmjetësimit të Nënës së Zotit, tejet e nderuar në Shenjtëroren e Harissës, e qysh në këtë çast ju kërkoj ta shoqëroni përgatitjen e kësaj ngjarjeje me lutje solidare, duke kërkuar për këtë vend të dashur një ardhmëri më të qetë”.
Fjalët e Papës u pasuan nga duatrokitjet e Sheshit, që sot të kujtonte menjëherë rikthimin e kohëve të para pandemisë, me flamujtë e duartrokitjet, që e bënë të ushtojë Sheshin, si përgjigje për kërkesën e Papës, e posaçërisht pasi kujtoi lumnimin e djeshëm, në Astroga të Spanjës, të tri infermiereve: María del Pilar Gullón y Turriaga; Olga Pérez-Monteserín Núñez, dhe Octavia Iglesias Blanco:
“Këto tri gra laike, guximtare, duke i përngjarë Samaritanit të Mirë, iu kushtuan mjekimit të plagëve të luftës, pa u trembur në çastin e rrezikut: rrezikuan, e u vranë nga urrjetja për fenë. Ta lavdërojmë Zotin për dëshminë e tyre ungjillore. Një duartrokitje për të Lumet e reja!”.
Së fundi Papa kujtoi të sëmurët nga skleroza e shumëfishtë si dhe nismat në ndihmë të tyre. E kërkoi përsëri lutje për Kolumbinë.