Kërko

Lutja e Mbretëreshës Qiellore Lutja e Mbretëreshës Qiellore 

Gëzimi ynë është lutja e Jezusit para Zotit

Gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, në solemnitetin e Të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, Françesku kujtoi se Jezusi rri gjithnjë me ne, duke ia treguar Atit plagët, me të cilat na shëlboi!

R. SH. - Vatikan

Në fillim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa kujtoi solemnitetin e sotëm: Të Ngjiturit e Krishtit në Qiell. E shfletoi sakaq para besimtarëve faqen ungjillore (Mk 16, 15-20) - ku përfundon Ungjilli i Markut, në të cilën na paraqitet takimi i fundit i Krishtit të Ngjallur me dishepujt e tij, para se të ngjitej në të djathtën e Atit. Zakonisht skenat e lamtumirës janë të trishtuara, krijojnë një ndjenjë përhumbjeje, braktisjeje. Po me dishepujt nuk ndodh aspak kështu! Pavarësisht nga shkëputja prej Zotit, ata nuk duken të pangushëlluar. Janë plot me gëzim - kështu i pikturoi Papa – e, sidomos, të gatshëm  për t’u nisur misionarë në të katër anët e botës.

Nga buron gëzimi i dishepujve?

Pse dishepujt nuk janë të trishtuar? - pyeti në vijim Papa - për të vijuar me një pyetje të dytë: “E pse edhe ne duhet  të gëzohemi,  duke e parë Jezusin  që ngjitet në qiell?”.

Sepse  - kjo përgjigjja e Papës në vijim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore - ngjitja në qiell shënon kryerjen e plotë të misionit të Krishtit mes nesh: “Nëse Jezusi zbriti për ne nga qielli, për ne edhe ngjitet. Pasi zbriti në natyrën tonë njerëzore dhe e shëlboi, tani ngjitet përsëri në qiell, duke marrë me vete korpin tonë. Në të djathtën e Atit rri tashti një korp njerëzor, korpi i Krishtit, e në këtë mister secili prej nesh kundron fatin e vet të ardhshëm. Nuk bëhet fjalë për afat. As për braktisje, sepse Jezusi mbetet përherë me dishepujt - me ne - në një formë të re

Prania e re e Zotit mes nesh

Po cila është kjo prani e Zotit mes nesh? - pyeti në vijim Papa - Një aspekt të rëndësishëm e gjejmë në urdhërimin, që ua jep dishepujve para se të përshëndetet me ta:

“Shkoni në të gjithë botën e shpalljani Ungjillin çdo krijese! Kështu Krishti vijon të jetë në botë përmes predikimit të dishepujve të tij. Ungjilltari na thotë se, menjëherë  pasi e panë duke u ngjitur në qiell, ata u nisën e predikuan kudo . E ne e dimë se kjo ndodhi pasi mbi ta u dikua Shpirti Shenjt”.

Me këtë forcë hyjnore – i siguroi Papa besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për të ndjekur lutjen e Mbretëreshës Qiellore në këtë solemnitet - secilit prej nesh i besohet  detyra të japë dëshmi për Jezusisn në kohën ndërmjet  ringjalljes e kthimit të Tij të mbram.

Mision tepër i madh për ne

Ky mision mund të na duket i shpërpjestuar, tepër i madh për forcat tona të varfra, për kufizimet tona e mëkatet tona. E ashtu edhe është. Po Ungjilli na kujton:

 Zoti bashkëpunonte me ta dhe e përforconte Fjalën me mrekullitë, që e përcillnin”. Sa më impenjativ, më i lodhshëm e mbi forcat njerëzore të duket Ungjillëzimi, aq më i vërtetë e i frytshëm do të jetë, kur secili nga ne - e mbarë Kisha - do ta lërë  Zotin të veprojë brenda vetvetes e përmes vetvetes.

“E këtë e bën Shpirti Shenjt: na bën mjete, përmes të cilave mund të veprojë vetë Zoti. Kështu mund të jemi ‘pesë  shqisat’ e Korpit të Krishtit, i pranishëm në mënyrë të re në botë: të jemi sytë e tij, duart e tij, veshët e tij e zëri i tij, shija e tij e nuhatja e tij. Kështu edhe përmes nesh, Krishti  mund të shikojë nevojat  e atij, që jeton i harruar e i përjashtuar;  ta prekë e ta shërojë të plagosurin, të dëgjojë britmën e njeriut pa zë; të thotë fjalë  dashurie, shprese;  të  nuhasë duhmën e mëkatarit e  parfumin e këndshëm të shenjtërisë”.

Në përfundim, si zakonsiht, lutja drejtuar Zojës së Bekuar:

“Në këtë festë, ndërsa kundrojmë qiellin, ku Krishti u ngjit e rri në të djathën e Atit, t’i kërkojmë Marisë, Mbretëreshës së Qiellit, të na ndihmojë për të qenë në botë dëshmitarë të guximshëm  të të Ngjallurit, në situata konkrete të jetës”.   

16 maj 2021, 13:53

Ç’është lutja e Mbretëreshës Qiellore?

Lutja fillestare e Mbretëreshës Qiellore, ose thjesht “Mbretëresha Qiellore”, është një nga katër lutjet mariane (të tjerat janë Alma Redemptoris Mater, Ave Regina Coelorum dhe Salve Regina).

Ishte Papa Benedikti XIV ai që, në vitin 1742, porositi të thuhej, në vend të Engjëllit të Tënzot, duke qëndruar në këmbë, si shenjë e fitores mbi vdekjen , gjatë Kohës së Pashkëve, domethënë, që nga e Diela e Pashkëve, deri tek Dita e Rrëshajëve.

Thuhet, ashtu si Engjëlli, tri herë në ditë: në  agim, në mesditë e në muzg, për t’ia kushtuar ditën Zotit e Marisë.

Kjo lutje e lashtë, sipas një tradite të përshpirtshme, duhet ta ketë fillesën  aty nga shekulli VI ose shekulli X, ndërsa përhapja e saj dokumentohet që nga gjysma e parë e shekullit XIII, kur u përfshi në Shkurtoren françeskane. Përbëhet nga katër fraza të shkurtëra, që përfundojnë me Aleluja e është lutja, që besimtarët ia drejtojnë Marisë, Mbretëreshë e Qiellit, për t’u gëzuar bashkë me të për ngjalljen e Krishtit.

Papa Françesku, më 6 prill 2015, pikërisht gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në ditën pas Pashkëve, foli për gjendjen shpirtërore, me të cilën duhet thënë kjo lutje:

“… i drejtohemi Marisë duke e ftuar të gëzojë, sepse Ai, që e mbajti në kraharor, u ngjall, siç pati premtuar, e ia besojmë veten ndërmjetësimit të saj. Në të vërtetë gëzimi ynë është pasqyrim i gëzimit të Marisë, sepse është ajo, që i ruajti e i ruan në zemër ngjarjet e jetës së Jezusit. Ta themi, prandaj, këtë lutje  me mallëngjimin e bijve, që janë të lum, sepse e Lume është edhe Nëna e tyre.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >