Kërko

Papa: prindërit i ngjasin Zotit, që fal gjithnjë me gëzim

Zoti nuk di të falë, pa bërë festë dhe mirëpret gjithnjë. Papa Françesku në lutjen e sotme të Engjëllit, i nxiti besimtarët të mos bien në gabimin e një feje të përbërë nga detyra e ndalime, por të mësojnë nga dashuria e Zotit që jo vetëm mirëpret, por edhe gëzohet e bën festë për birin e rikthyer në shtëpi

R.SH. - Vatikan

E dielë e ngarkuar me emocione kjo, që kremtohet menjëherë pas një çasti kur i gjithë njerëzimi vullnetmirë u bashkua me Papën në një lutje të vetme! Në një thirrje të vetme. Kushtim e lutje e vetme drejtuar Zojës, “për t’i mbrojtur ëndrrat e popujve e shpresat e të rinjve”. E për të na mësuar t’i kundërvihemi indiferencës, që na i than zemrat dhe egoizmit, që na paralizon. E thirrje e dalë nga zemrat e trembura: “Na fal o Zot! Kemi mëkatuar!”. Kjo, atmosfera, që u ndje fort edhe sot në Sheshin e Shën Pjetrit ndërsa Ati i Shenjtë fliste për liturgjinë e kësaj së dieleje, përqëndruar tek një shëmbëlltyrë, e cila dukej sikur vijonte qortimin e fuqishëm që jehoi në mbarë globin pardje, gjatë dorëzimit të njerëzimit në dorë të Marisë. Ishte shëmbëlltyra e “Djalit plangprishës” në qendër të lutjes së sotme, shkëputur nga Ungjilli i Shën Lukës. Shëmbëlltyrë, që të çon në zemër të Zotit, i cili fal gjithnjë, me mëshirë e dashuri. Fjalët e Papës, duke u nisur nga dritarja e Engjëllit, zbrisnin si balsam mbi Sheshin e mbushur përplot me njerëz, duke të krijuar idenë se po vijonte takimi i madh të pardjeshëm, ngarkuar me shpresën e përfundimit të luftës dhe zbardhjen agimit të parë të paqes!

“Shëmbëlltyra - kujtoi Papa - na çon  në zemër të Zotit, që fal gjithnjë, plot me mëshirë e dashuri. Na kujton se Zoti Atë, jo vetëm e mirëpret të birin që i prishi plangun, por edhe gëzohet e bën festë për të. Edhe pse u kthye në shtëpi, pasi kishte shkapërdedhur gjithçka e pati përvetësuar pa mundim.

“Jemi ne ky bir - kujtoi Papa - e prekemi në shpirt kur mendojmë se Ati na do e na pret, gjithnjë”.

Drama e djalit të madh

Të krijohej ideja se Papa po tregonte historinë e sotme, që na mundon të gjithë, duke u mbështetur tek shëmbëlltyra e lashtë, ku të gjitha figurat janë simbolike. E na kujtojnë se historia përsëritet! Kështu edhe ajo e djalit të madh, që tërbohet përballë qëndrimit të Atit. Gjë që na vë në krizë edhe ne. Sepse brenda nesh është edhe ky bir e, të paktën pjesërisht, tundohemi t’i japim të drejtë. I kish kryer gjithnjë detyrat e veta, nuk kishte ikur kurrë nga shtëpia, ndaj zemërohet kur e shikon atin duke e marrë ngrykë tjetrin, që ishte sjellë aq keqas. Proteston, prandaj, e thotë:

“Të shërbej prej kaq vitesh, duke iu bindur gjithnjë urdhërave tuaja, e një festë nuk e bëre për mua. Ndërsa për këtë të pabindurin, jo vetëm po gëzohesh se t’u kthye në plang, por madje edhe po feston”.

Problemet tona me Zotin

 Prej këndej buron zemërimi i djalit të madh. Në lidhjen me atin, ai e bazon bindjen mbi zbatimin e urdhërave, mbi ndjenjën e detyrës. E ky mund të jetë edhe problemi ynë me Zotin - aktualizoi Papa:

“Mund të harrojmë se Zoti është Atë e të jetojmë një besim të ftohtë, të bazuar vetëm mbi ndalimet e detyrat. Pasoja e kësaj distance është  qëndrimi i ngurtë  ndaj të afërmit,  që nuk shikohet më si vëlla”.

E shikojmë qartë këtë tek shëmbëlltyra, ku djali i madh, duke vijuar të shfrejë me të atin, nuk e quan më të voglin “vëllai im”- po “yt bir”. E në fund të fundit rrezikohet të mbetet jashta shtëpisë. Na e thotë vetë shëmbëlltyra: nuk donte më as të shkelte aty!

Për Atin,  çdo bir është vetë jeta

Duke e parë këtë, Ati del e nis ta lusë: “Bir, ti je gjithnjë me mua e gjithçka është imja, është edhe jotja". Kërkon ta bindë se për të, çdo bir vlen  sa vetë jeta.

Kur u bëra baba, atëhere e kuptova Zotin

Nga shëmbëlltyra, Papa kaloi tek shembulli i shkëputur nga një roman i njohur i letërsisë frënge, në të cilin një atë pohon: “Vetëm kur u bëra baba, e kuptova Zotin”. E pas këtij citimi, duke u rikthyer tek faqja ungjillore, Papa kujtoi se në këtë pikë të shëmbëlltyrës, ati ia hap zemrën djalit të madh  dhe i shpreh dy dëshira. Dëshira, jo urdhërime! Që i dalin drejt nga zemra. “Duhet bërë festë e duhet gëzuar, sepse ky vëlla ishte i vdekur e u rikthye në jetë”. Shikojmë, kështu, se edhe ne i kemi në zemër këto dy dëshira të Atit: të festojmë e të gëzohemi!

Sa mirë mund të bëjë një zemër e hapur! 

Sa mirë mund të bëjë një zemër e hapur - brohoriti Papa në vijim të lutjes së Engjëllit, si të donte t’i ftonte gjithë bijtë plangprishës në këtë situatë të nderë, kur plangu është mbarë bota në flakë - të kthehen në krahët e Atit! Po pse duhet bërë kështu - pyeti - E menjëherë edhe u përgjigj: - Sepse kjo  na ndihmon t’i kapërcejmë frikën e çkurajimin, që mund të na vijnë nga kujtimi i gabimeve tona. Kush gabon shpesh, ndjen si e qorton zemra e vet: largimi, indiferenca e fjalët pickuese nuk ndihmojnë. Ndaj, sipas Atit, duhet të mirëpresim, sepse mikpritja të ndihmon të shkosh përpara. Po ne, a bëjmë kështu?

Me këtë meditim, Papa na merr për dore e na nxit të hyjmë brenda vetes. T’i bëjmë vetes pyetjen: Po ne a bëjmë kështu? A e kërkojmë të largtin? Dëshirojmë të festojmë me të? Sa mirë do të mund të bënte një zemër e hapur, një dëgjim i vërtetë, një buzëqeshje e ëmbël. E sa mirë të bësh festë,  jo ta bësh tjetrin ta ndjejë veten të tepërt!

Zemra në përkim me zemrën e Zotit, gëzohet për gëzimin e tjetrit

E pastaj, sipas Atit, duhet edhe të gëzohemi. Kush e ka zemrën të sintonizuar me atë të Zotit, kur shikon pendimin e tjetrit, sado të mëdha të kenë qenë mëkatet e tij, gëzohet! Nuk rri duke ia numëruar gabimet, nuk e tregon me gisht si keqbërës, por gëzohet për të mirën, sepse e mira e tjetrit, është edhe e mira ime:

“Po ne, a dimë t’i shikojmë të tjerët me këtë sy? Më lejoni - vijoi Papa - të tregoj një histori, të trilluar, por që të bën të shikosh zemrën e një ati, kushtuar djalit plangprishës e gjithë historisë së tij… E në fund, ky djalë, kur vendos të kthehet tek i ati, takon një mik e i thotë: “Dua, por kam frikë se im atë nuk do të më pranojë e nuk do të më falë”. E miku e këshillon: “Dërgoji babait një pusull e thuaji: ‘Atë, jam penduar e dua të kthehem  në shtëpi, po nuk jam i sigurt se kjo të kënaqë. Nëse don të më pranosh, vëre një shami të bardhë në dritare’. Si ia çoi lajmin, u nis e shkoi  e në kthesë të rrugës u ndodh përballë shtëpisë. E çka thoni se pa? Jo një shami, por një mori shamish të bardha, në të gjitha dritaret! Kështu pret Ati, plot me gëzim. Ky është Ati ynë”. 

Po ne, a dimë të gëzohemi për të tjerët?” - pyeti Papa, që  e përfundoi si zakonisht lutjen e së dielës, duke iu drejtuar për ndihmë asaj Marie, së cilës pardje ia kushtoi botën mbarë, me luftën që po e trondit; me refugjatët, që ikin nga atmja nën bomba; me kontinentet, që dridhen nga frika e një lufte bërthamore. Gjithçka, në dorën e saj amtare:

“Virgjëra Mari na mësoftë ta mirëpresim mëshirën e Zotit, që të bëhet dritë, në të cilën të mund ta shikojmë mirë të afërmin tonë”.

27 mars 2022, 12:58

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >