Kërko

Papa: Jezusi përsërit edhe sot: “Paqja qoftë me ju!”

Sot, e Diela in albis, dita e fundit e Tetëditshit të Pashkëve, në përfundim të Meshës kushtuar Mëshirës Hyjnore, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, Papa u kujtoi besimtarëve se është më e mirë feja e papërsosur, por e përulur, që kthehet gjithnjë te Jezusi, sesa feja e fortë, por që e bën njeriun krenar dhe arrogant

R.SH. - Vatikan

Sot, dita e fundit e tetëditshit të Pashkëve, në përfundim të Meshës kushtuar Mëshirës Hyjnore, Papa kremtoi lutjen e Mbretëreshës Qiellore, duke u përqëndruar tek faqja ungjillore, që flet për dukjen e parë dhe të dytë të të Ngjallurit ndërmjet dishepujve. Kujtoi çastet  e jashtëzakonshme, kur Jezusi vjen mes Apostujve, të mbyllur në dhomën e sipërme. Mungon vetëm një: Toma, njëri nga të Dymbëdhjetët!

E Papa u përqëndrua pikërisht tek dy protagonistët: Toma dhe Jezusi, që rikthehet tetë ditë më pas mes të tijve (krh. Gjn 20, 19-29)”.

Toma, një nga ne

Toma Apostull - kujtoi në vijim - na përfaqëson të gjithëve, që nuk ishim të pranishëm në dhomën e sipërme, kur u  duk Zoti as nuk kishim shenja apo paraqitje të tjera fizike nga ana e Tij. Edhe ne, si dishepullin - vijoi - ndonjëherë na lodh mendimi…:

“….si ta besosh se Jezusi u ngjall? Se na shoqëron dhe është Zot i jetës sonë, pa e parë e pa e prekur? E pse nuk na jep shenja më të dukshme të pranisë dhe të dashurisë së Tij? Ja, pra, edhe ne jemi si Toma”.

Zoti nuk kërkon të krishterë të përsosur

Por nuk duhet të turpërohemi për këtë - vijoi të shpjegojë Papa - Duke na treguar historinë e Tomës, Ungjilli na kujton se Zoti nuk kërkon të krishterë të përsosur, të cilët nuk dyshojnë kurrë dhe kanë gjithnjë besim të patundur:

“Jo, aventura e fesë, ashtu si për Tomën, përbëhet nga dritë-hijet. Çfarë besimi do të ishte ky, pa to? Feja jonë ka kohë ngushëllimi dhe entuziazmi, por edhe kohë kapitjeje, hutimi, dyshimi dhe errësire. Ungjilli na njeh me ‘krizën’ e Tomës, për të na kujtuar se nuk duhet të kemi frikë nga krizat e jetës dhe të besimit”.

Këtë theksoi Papa, duke kujtuar, më pas, se kriza të tilla shumë herë na përulin, mbasi na zhveshin nga ideja se jemi në rregull, se jemi më të mirë nga të tjerët:

“Po krizat na ndihmojnë ta kuptojmë edhe se jemi nevojtarë: ato ringjallin etjen për Zotin dhe kështu na lejojnë të kthehemi te Ai i Lumi, të prekim plagët e Tij, ta provojmë përsëri dashurinë e Tij, si  herën e parë”.

Më mirë një fe e papërsosur, por e përulur, që kthehet gjithnjë te Jezusi, sesa një fe e fortë, por që e bën njeriun krenar dhe arrogant.

Jezusi nuk ka frikë nga krizat dhe dobësitë tona

 Ungjilli na kujton dy herë se Ai “erdhi” (v. 19.26) - Herën e parë, pastaj herën e dytë, tetë ditë më vonë. Po pse erdhi?

“Jezusi nuk dorëzohet, nuk lodhet prej nesh, nuk ka frikë nga krizat dhe dobësitë tona. Ai kthehet gjithmonë: kur mbyllen dyert, Ai kthehet; kur dyshojmë, kthehet; kur, si Toma, duhet ta takojmë dhe ta prekim nga afër, Ai kthehet. Ai kthehet gjithmonë, dhe jo me pamje të fuqishme që do të na bënte të ndjeheshim të vegjël dhe të kotë, por me plagët e Tij, me shenjat e dashurisë së Atij, që i pranon brishtësitë tona”.

Krishti pret vetëm ta thërrasim

Vëllezër dhe motra - kujtoi Papa - posaçërisht kur lodhemi a kalojmë çaste krize, Jezusi, i Ngjalluri, dëshiron të kthehet, për të qenë me ne:

Ai vetëm pret që ne ta kërkojmë, ta thërrasim. Kthehet, sepse është i durueshëm dhe i mëshirshëm. Vjen për të hapur çenakujt e frikës dhe të mosbesimit tonë, sepse dëshiron të na japë gjithnjë mundësi të tjera:

“Pra, le të mendojmë për herën e fundit kur, gjatë një çasti të vështirë ose të një periudhe krize, u mbyllëm brenda vetes dhe u ngujuam në problemet tona, duke e lënë Jezusin pas dere. Dhe t’i premtojmë vetes që edhe në çaste lodhjeje do ta kërkojmë Jezusin, do të kthehemi tek Ai, tek ndjesa e Tij, tek ato plagë, që na rikthyen në jetë. Kështu do të bëhemi të aftë edhe për dhembshuri, për t'iu afruar pa ngurrim e pa paragjykime, plagëve të të tjerëve”.

Në përfundim, si zakonisht, lutja drejtuar Marisë:

“Zoja, Nëna e Mëshirës, na shoqëroftë në udhën e fesë dhe të dashurisë”.  

24 prill 2022, 13:10

Ç’është lutja e Mbretëreshës Qiellore?

Lutja fillestare e Mbretëreshës Qiellore, ose thjesht “Mbretëresha Qiellore”, është një nga katër lutjet mariane (të tjerat janë Alma Redemptoris Mater, Ave Regina Coelorum dhe Salve Regina).

Ishte Papa Benedikti XIV ai që, në vitin 1742, porositi të thuhej, në vend të Engjëllit të Tënzot, duke qëndruar në këmbë, si shenjë e fitores mbi vdekjen , gjatë Kohës së Pashkëve, domethënë, që nga e Diela e Pashkëve, deri tek Dita e Rrëshajëve.

Thuhet, ashtu si Engjëlli, tri herë në ditë: në  agim, në mesditë e në muzg, për t’ia kushtuar ditën Zotit e Marisë.

Kjo lutje e lashtë, sipas një tradite të përshpirtshme, duhet ta ketë fillesën  aty nga shekulli VI ose shekulli X, ndërsa përhapja e saj dokumentohet që nga gjysma e parë e shekullit XIII, kur u përfshi në Shkurtoren françeskane. Përbëhet nga katër fraza të shkurtëra, që përfundojnë me Aleluja e është lutja, që besimtarët ia drejtojnë Marisë, Mbretëreshë e Qiellit, për t’u gëzuar bashkë me të për ngjalljen e Krishtit.

Papa Françesku, më 6 prill 2015, pikërisht gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në ditën pas Pashkëve, foli për gjendjen shpirtërore, me të cilën duhet thënë kjo lutje:

“… i drejtohemi Marisë duke e ftuar të gëzojë, sepse Ai, që e mbajti në kraharor, u ngjall, siç pati premtuar, e ia besojmë veten ndërmjetësimit të saj. Në të vërtetë gëzimi ynë është pasqyrim i gëzimit të Marisë, sepse është ajo, që i ruajti e i ruan në zemër ngjarjet e jetës së Jezusit. Ta themi, prandaj, këtë lutje  me mallëngjimin e bijve, që janë të lum, sepse e Lume është edhe Nëna e tyre.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >