Kërko

Papa na fton të dalim përsëri në det të hapur me Krishtin

Në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, duke kometuar Liturgjinë e sotme, e sidomos, Ungjillin e Gjonit (21,1-19), Papa u drejtoi besimtarëve ftesën: “Vëllezër, motra, kur gjatë jetës i kemi rrjetat bosh, nuk është koha për të lotuar, as për t’u dëfryer, duke u rikthyer tek bjerraditjet tona. Është koha për të rifilluar, për të dalë në det të hapur me Krishtin”, i cili na përsërit edhe ne sot më se tri herë, atë “A më do”, që ia pati kërkuar Pjetrit.

R.SH. - Vatikan

Papa e nisi takimin me turmën shumëngjyrëshe, gjithnjë më të shumënumërt, që e mbush përplot çdo të diel Sheshin e Shën Pjetrit, duke komentuar faqen ungjillore të së dielës, sot, një ngjarje kulmore për fenë e gjithë të krishterëve: çastin kur Krishti iu duk i gjallë apostujve. Takim, që ndodh buzë liqenit të Galilesë e që ka të bëjë posaçërisht me Simon Pjetrin. E gjithçka - shpjegoi Papa -  nis me të, që u thotë dishepujve të tjerë: “Po shkoj të peshkoj!”. Asgjë e jashtëzakonshme. Ishte peshkatar, ndonëse e kishte braktisur këtë zanat që kur, pikërisht në brigjet e këtij liqeni, i pati lënë mënjanë rrjetat, për të ndjekur Jezusin:

“E tani - kujtoi Papa - ndërsa i Ngjalluri pret, Pjetri, ndoshta pakëz i ligështuar, u propozon të tjerëve të rikthehen në jetën e mëparshme. Të merren me rrjetat e me peshqit! Madje i bind edhe të tjerët, që pranojnë   e i gjegjen: ‘Po vijmë edhe na me ty’ E shkuan - na thotë Ungjilli - kujtoi Papa. Shkuan, po nuk zunë asnjë peshk. E u kthyen me rrjetat bosh!”.

Mund të na ndodhë edhe ne…

Këtu Papa bëri një paralelizëm të goditur. Ndërmjet dishepujve e nesh, që ndoshta pse të lodhur, të zhgënjyer, a ndoshta-ndoshta edhe të dembelosur,  e harrojmë Zotin e edhe rrugët që zgjodhëm, për t’u konenduar me gjëra të tjera:

“Për shembull, nuk i kushtojmë vëmendje bisedës në familje, duke preferuar ta kalojmë kohën sipas qejfit tonë; e harrojmë lutjen, për t’u marrë me punët tona; nuk na shkon as nëpër mend të bëjmë ndonjë vepër të mirë, sepse vëmë në plan të parë telashet e përditshme. Po duke u sjellë kështu, ndjehemi të zhgënjyer: me rrjeta bosh, si Pjetri”.

Është koha për të nisur përsëri peshkimin

Po Jezusi, çfarë bën? - pyeti Papa në vijim – Rikthehet në bregun e liqenit,  ku pati zgjedhur Pjetrin, Andrenë, Jakobin e Gjonin. Nuk i qorton. Përkundazi, i thërret ëmbëlsisht dishepujt “Bijtë e mi”. Më pas i fton, si një herë e një kohë, t’i hedhin rishtas me guxim rrjetat. E rishtas rrjetat  mbushen në mënyrë krejt të pabesueshme. E duke kujtuar rrjetat plot, pas atyre bosh - Papa u bëri thirrje atyre që po e dëgjonin në Shesh historinë e peshkimit të mrekullueshëm:

“Vëllezër, motra kur gjatë jetës i kemi rrjetat bosh, nuk është koha për të lotuar,  as për t’u dëfryer duke u riktheyr tek kënaqësitë tona. Eshtë koha për të rifilluar, për të dalë në det të hapur, me Krishtin”.

Dashuria shkon përtej dobisë

Pjetri kishte nevojë për këtë “shkundje” - kujtoi Papa në vijim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore - Kur e dëgjon Gjonin duke bërtitur: “Është Zoti!”,  hidhet menjëherë në ujë e noton drejt Jezusit:

“Është gjest dashurie, sepse dashuria shkon përtej dobisë: dashuria ngjall mrekullim, frymëzon hove krijuese, pa pikë interesi. Kështu, ndërsa Gjoni, më i riu, njeh Zotin, është Pjetri, më i moshuari, ai, që zhytet në ujë e noton drejt Tij. Në këtë zhytje është gjithë vrulli i rigjetur i Simonit, të quajtur Pjetër”.

Ftesë për t’u zhytur pa frikë  drejt Jezusit

Në vijim të lutjes, Papa i ftoi të gjithë për hove të reja:

“Sot ftohemi për një hov të ri, për t’u zhytur në të mirën, pa frikë se mund të humbasim ndonjë gjë, pa bërë shumë llogari, pa pritur t’ia nisin të tjerët! Sepse, për të shkuar drejt Jezusit nuk duhet t’i frenojmë hovet e zemrës e të mbyllemi në të zakonshmen, në frikë! Përkundrazi, duhet të hidhemi, të zhytemi!”.

Krishti na pyet edhe ne sot: “A më doni?”

Në fund të këtij episodi, Jezusi i drejton Pjetrit tri herë rresht pyetjen: “A më do?”. I Ngjalluri na pyet edhe ne sot: “A më doni?”. Sepse  për Pashkë Jezusi pret që edhe zemra jonë të rilindet - nënvizoi me forcë Papa në përfundim të lutjes së Mbretëreshës qiellore - e sepse feja nuk është  çështje që ka të bëjë me dijen, por me dashurinë!

A më do? – të kërkon Jezusi ty, që i ke rrjetat bosh e ke frikë të rifillosh; ty, që nuk ke guxim të zhytesh, sepse e ke humbur çdo hov.

A më do? - të kërkon Krishti ty, që nuk ke guximin të hidhesh në ujë.

“A më do?”- vijon të na pyesë të gjithëve Jezusi!

Që asokohe - kujtoi Papa – Pjetri e la përgjithmonë peshkimin e iu kushtua shërbimit të Zotit e të vëllezërve deri në atë pikë, sa dhuroi jetën këtu, ku jemi tani!

Po ne, a dëshirojmë ta duam Krishtin? Kjo pyetja e fundit drejtuar nga Papa besimtarëve të shumtë, që e ndiqnin nga sheshi, për t’iu lutur, si zakonisht, në përfundim, Zojës së Bekuar:

“Zoja, që i tha pa asnjë ngurrim ‘po’ Zotit, na ndihmoftë ta rigjejmë vrullin e së mirës”.

01 maj 2022, 12:35

Ç’është lutja e Mbretëreshës Qiellore?

Lutja fillestare e Mbretëreshës Qiellore, ose thjesht “Mbretëresha Qiellore”, është një nga katër lutjet mariane (të tjerat janë Alma Redemptoris Mater, Ave Regina Coelorum dhe Salve Regina).

Ishte Papa Benedikti XIV ai që, në vitin 1742, porositi të thuhej, në vend të Engjëllit të Tënzot, duke qëndruar në këmbë, si shenjë e fitores mbi vdekjen , gjatë Kohës së Pashkëve, domethënë, që nga e Diela e Pashkëve, deri tek Dita e Rrëshajëve.

Thuhet, ashtu si Engjëlli, tri herë në ditë: në  agim, në mesditë e në muzg, për t’ia kushtuar ditën Zotit e Marisë.

Kjo lutje e lashtë, sipas një tradite të përshpirtshme, duhet ta ketë fillesën  aty nga shekulli VI ose shekulli X, ndërsa përhapja e saj dokumentohet që nga gjysma e parë e shekullit XIII, kur u përfshi në Shkurtoren françeskane. Përbëhet nga katër fraza të shkurtëra, që përfundojnë me Aleluja e është lutja, që besimtarët ia drejtojnë Marisë, Mbretëreshë e Qiellit, për t’u gëzuar bashkë me të për ngjalljen e Krishtit.

Papa Françesku, më 6 prill 2015, pikërisht gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në ditën pas Pashkëve, foli për gjendjen shpirtërore, me të cilën duhet thënë kjo lutje:

“… i drejtohemi Marisë duke e ftuar të gëzojë, sepse Ai, që e mbajti në kraharor, u ngjall, siç pati premtuar, e ia besojmë veten ndërmjetësimit të saj. Në të vërtetë gëzimi ynë është pasqyrim i gëzimit të Marisë, sepse është ajo, që i ruajti e i ruan në zemër ngjarjet e jetës së Jezusit. Ta themi, prandaj, këtë lutje  me mallëngjimin e bijve, që janë të lum, sepse e Lume është edhe Nëna e tyre.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >