Kërko

Pope Francis - Regina Caeli prayer Pope Francis - Regina Caeli prayer

Papa: Krishti i ngjitur në qiell e çon humanitetin tonë tek Zoti dhe ndërmjetëson për ne

Në të dielën kur në shumë vende të botës kremtohet Ngjitja e Zotit në qiell, në lutjen e Mbretëreshës Qiellore Françesku iu përgjigj dy pyetjeve: Pse kremtohet nisja e Jezusit nga toka? E çfarë bën Ai tani në Qiell? Ai e mori me vete humanitetin tonë, e çoi para Zotit e ia paraqiti plagët e njerëzve.

R.SH. / Vatikan

Në lutjen e sotme të Mbretëreshës Qiellore, kremtuar në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, Papa Françesku shpjegoi se me Ngjitjen e Krishtit në qiell, që kremtojmë sot, ndodhi diçka e re dhe e bukur: Jezusi e çoi humanitetin tonë tek Zoti.

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëmëngjes! - jehoi përsëri sot në mesditë nga Dritarja e Engjëllit kjo përshëndetje, që pasohet çdo të dielë nga një breshëri duartokitjesh, sepse nën diell a nën shi, Sheshi i Vatikanit është gjithnjë plot. Aq më tepër sot, kur, siç e theksoi që në fillim Papa, në Itali dhe në shumë vende të tjera kremtohet Ngjitja e Zotit në Qiell. Është festë që ne e njohim mirë, por që mund të na ngjallë edhe pyetje, të paktën dy.

E Papa e nisi lutjen pikërisht me përgjigjen dhënë këtyre dy pyetjeve:

Pse e kretojmë largimin e Krishtit nga Toka?

E para: pse e kremtojmë largimin e Jezusit nga toka?  Largimi i Zotit do të dukej si  kohë për t’u trishtuar, jo për t'u gëzuar - shtoi – e në vijim bëri  pyetjen  e dytë, më të gjatë se e para: çfarë po bën Jezusi tani në parajsë, pse është e rëndësishme të jetë atje? Pse ne festojmë dhe çfarë bën Jezusi tan? Këto – shpjegoi në vijim Papa Françesku - janë pyetje, që na ndihmojnë të kuptojmë pse e festojmë kaq shumë!  

Zoti mbart me vete natyrën tonë njerëzore

Pse festojmë? – pyeti në vijim Papa -  Sepse - shpjegoi - me Ngjitjen e Zotit në qiell ndodhi diçka e re dhe e bukur: Jezusi e çoi humanitetin tonë në qiell, domethënë, tek Zoti.

“Ai njerëzim, që e kishte marrë në tokë, nuk mbeti këtu, u ngjit në Zotin dhe do të jetë atje përgjithmonë e jetës. Që nga dita e Ngjitjes, mund të themi se “ndryshoi”: vetë Zoti, që atëherë nuk është më vetëm shpirt, por pse na do fort, ai mbart brenda vetes korpin tonë, natyrën tonë njerëzore!”

Lajm i mrekullueshëm: Ai u bë njeri për ne

Vendi që na takon mund të themi se është caktuar, fati ynë është atje në Qiell,  kështu shkroi një Atë i  lashtë në fe:

“Lajm i mrekullueshëm! Ai u bë njeri për ne [...], e për të na bërë vëllezër të tij, paraqitet si njeri përpara Atit, për t’i marrë me vete të gjithë ata që kanë lidhje me të” (Shën Gregori i Nissës, Fjala për ringjalljen. të Krishtit, 1).

Çka festojmë sot?

Çka kremtojmë sot - pyeti në vijim Papa - Sot kremtojmë "pushtimin e qiellit"; sot jo vetëm “kapim qiellin me dorë ”, siç thuhet në çastet e kulmit të lumturisë, por me gjithë korpin.

“Qielli nuk është më i largët, është shtëpia jonë, është vendi që Jezusi shkoi ta përgatiste për ne. Ai na hapi rrugën e ne mund ta ndjekim dhe të jetojmë përgjithmonë në qiell, si bijtë e Atit”.

Por, çfarë bën Jezusi në qiell?

Pyetja e dytë: çfarë bën Jezusi në qiell? Ai rri për ne përpara Atit, i flet për natyrën tonë njerëzore, për plagët që pësoi për ne;  "punon", mund të themi, si avokati ynë pranë Atit (krh. 1 Gjn 2,1). Kështu që ai nuk na lë vetëm. Në të vërtetë, para se të ngjitej, na tha çka rikujtohet në Ungjillin e sotëm:

"Unë jam me ju gjithmonë deri në fund të botës" (Mt 28,20). Mbeti kështu,  gjithmonë me ne, gjithmonë i gjallë e i gatshëm për të ndërmjetësuar" (Hebrenjve 7:25) për ne. Me një fjalë, pra, ndërmjetëson; ai është në "vendin" më të mirë, përpara Atit të tij dhe tonit, për të ndërmjetësuar për ne”.

Ta zhysim gjithçka në Zotin!

Krishti pret – shpjegoi Papa Françesku - t'ia paraqesim situatat, problemet, njerëzit, por edhe mjerimet dhe mëkatet, për të pasur falje dhe mëshirë dhe për të dërguar mbi ne dashurinë e tij dhe të Atit, Shpirtin Shenjt:

“Ndërmjetësimi është themelor. Prandaj, në Ungjillin e sotëm, Jezusi na kërkon edhe të merremi me punë, të punojmë, të ‘pagëzojmë në emër të Atit dhe të Birit dhe të Shpirtit Shenjt” (krh. Mt 28,19)”.

Pagëzimi fjalë për fjalë do të thotë "zhytje": përveç kuptimit sakramendor, mund të mendojmë se jemi thirrur të "zhytim" gjithçka te Zoti, atë që jetojmë e atë që takojmë.

Ta pyesim veten…

Pra, le ta pyesim veten - pyeti si zakonisht Papa në përfundim të lutjes mariane - a ndërmjetësoj, a i “zhyt” te Zoti njerëzit që njoh, ata që më besojnë problemet e tyre, ata që po kalojnë kohë të vështira? A ndërmjetësoj për ta tek Jezusi, i cili pret lutjen time për t'u dhënë Shpirtin e tij, atyre që ua paraqes? A i  vë para Zotit përpjekjet e mia, por edhe ato të Kishës dhe të botës?  Pyetje këto që bëjmë mirë t’i kujtojmë gjatë gjithë javës, madje gjatë gjithë jetës, sepse kanë të bëjnë drejtpërdrejt me kalimin nga jeta në jetë! Edhe me ndihmën e Marisë, së cilës, si zakonisht, Papa i drejtohet në përfundim të lutjes çdo të dielë, të zakonshme a të jashtëzakonshme, si kjo që po kremtojmë sot:

“Mbretëresha e Qiellit na ndihmoftë të ndërmjetësojmë me fuqinë e lutjes”.

21 maj 2023, 12:56

Ç’është lutja e Mbretëreshës Qiellore?

Lutja fillestare e Mbretëreshës Qiellore, ose thjesht “Mbretëresha Qiellore”, është një nga katër lutjet mariane (të tjerat janë Alma Redemptoris Mater, Ave Regina Coelorum dhe Salve Regina).

Ishte Papa Benedikti XIV ai që, në vitin 1742, porositi të thuhej, në vend të Engjëllit të Tënzot, duke qëndruar në këmbë, si shenjë e fitores mbi vdekjen , gjatë Kohës së Pashkëve, domethënë, që nga e Diela e Pashkëve, deri tek Dita e Rrëshajëve.

Thuhet, ashtu si Engjëlli, tri herë në ditë: në  agim, në mesditë e në muzg, për t’ia kushtuar ditën Zotit e Marisë.

Kjo lutje e lashtë, sipas një tradite të përshpirtshme, duhet ta ketë fillesën  aty nga shekulli VI ose shekulli X, ndërsa përhapja e saj dokumentohet që nga gjysma e parë e shekullit XIII, kur u përfshi në Shkurtoren françeskane. Përbëhet nga katër fraza të shkurtëra, që përfundojnë me Aleluja e është lutja, që besimtarët ia drejtojnë Marisë, Mbretëreshë e Qiellit, për t’u gëzuar bashkë me të për ngjalljen e Krishtit.

Papa Françesku, më 6 prill 2015, pikërisht gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në ditën pas Pashkëve, foli për gjendjen shpirtërore, me të cilën duhet thënë kjo lutje:

“… i drejtohemi Marisë duke e ftuar të gëzojë, sepse Ai, që e mbajti në kraharor, u ngjall, siç pati premtuar, e ia besojmë veten ndërmjetësimit të saj. Në të vërtetë gëzimi ynë është pasqyrim i gëzimit të Marisë, sepse është ajo, që i ruajti e i ruan në zemër ngjarjet e jetës së Jezusit. Ta themi, prandaj, këtë lutje  me mallëngjimin e bijve, që janë të lum, sepse e Lume është edhe Nëna e tyre.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >