Kërko

Papa: me djallin nuk diskutohet kurrë, thirreni Jezusin t'ju çlirojë prej tij

Gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit Françesku tërhoqi vëmendjen për t’u ruajtur nga gjithçka që ia merr frymën lirisë: varësitë, modat sunduese, frika, idhujtaria e pushtetit, që krijon konflikte dhe përdor armë vrastare a përdor padrejtësinë ekonomike dhe manipulimin e mendimit". Papa fton t'i lutemi Shpirtit Shenjt që "në vend të dhunës dhe thirrjeve të urrejtjes, të ketë liri dhe paqe".

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku, duke komentuar Ungjillin e kësaj sё diele, të 4-të gjatë vitit kishtar nga Marku (Mk 1, 21-28), gjatë lutjes sё mesditës tё Engjëllit tё Zotit, kremtuar sot në mesditëë, nё sheshin e Shën Pjetrit nё Vatikan, rrëfeu episodin e ekzorcizmit nё ndodhi nё sinagogën e  Kafarnaumit, i cili na ndihmon t’i tejkalojmë sprovat dhe t’i mposhtim tundimet, sepse Jezusi  - theksoi Papa - ka ardhur ndër ne pёr tё na çliruar prej të gjithëve skllavëria, madje edhe nga skllavëria e djallit.

Ungjilli i sotëm, kujtoi Françesku, na paraqet Jezusin teksa çliron një njeri të pushtuar nga "shpirti i keq" (shih Mc 1,21-28), i cili e mundonte dhe e bënte të bërtiste në kupë të qiellit (shih v. 23.26).

Djalli dëshiron të na e lidhë shpirtin me zinxhirë!

Kështu bën djalli - kujtoi Françesku - dëshiron të na shtjerë në dorë, për të na “i lidhur shpirtrat me zinxhirë”:

“E duhet të kemi kujdes nga ‘zinxhirët’, që ia zënë frymën lirisë. Ta provojmë, atëhere, t'i quajmë me emra disa prej zinxhirëve, që mund të na shtrëngojnë zemrën. Unë mendoj për vartësitë, të cilat të bëjnë skllav, gjithnjë të pakënaqur, t’i gllabërojnë energjinë, pasurinë dhe dashurinë; Mendoj për modelet mbizotëruese, të cilat të shtyjnë drejt persosurisë së pamundur, konsumizmit dhe hedonizmit, që i shndërrojnë njerëzit në madhra dhe i rrënojnë marrëdhëniet ndërmjet tyre”.

Tundimet, që minojnë jetën

Por - vijoi Papa - ka edhe tundime të tjera. Tundime dhe kushtëzime, që e minojnë qetësinë dhe aftësinë për ta zgjedhur e për ta dashuruar jetën:

“Ekziston frika, e cila e bën njeriun ta shikojë të ardhmen me pesimizëm; vetvlerësimi, që ia hedh gjithmonë fajin të tjerëve; e akoma,  idhujtaria e pushtetit, e cila lind konflikte dhe përdor armët që vrasin: ose  padrejtësia ekonomike dhe manipulimi i mendimit. Zinxhirë, njëri më i padurueshëm se tjetri!”.

Jezusi na çliron nga djalli, çfarëdo pamje që të ketë

Jezusi erdhi për të na çliruar nga të gjithë këto zinxhirë. E sot, nga sfida e djallit, i cili i bërtet: «Çfarë do […]? Erdhe të na shkatërrosh?" (v. 24). E Jezusi i përgjigjet: «Hesht e largohu!” (v. 25):

“Jezusi na çliron nga fuqia e së keqes dhe - ta kemi mirë parasysh - nuk  diskuton kurrë me djallin! Ne, nga ana tjetër, shpesh i lëmë zinxhirët e tij të na shtrëngojnë derisa nisin e na dhembin shumë, gjë që e bën më të vështirë çlirimin prej tyre”.

Jezusi na çliron nga pushteti i së keqes

Krishti, megjithatë, na kujton se kurrë nuk duhet të bëjmë pazarllëk me djallin. E çfarë duhet të bëjmë, atëhere, kur ndihemi të tunduar dhe të shtypur? Duhet të thërrasim Jezusin: ta thërrasim atje, ku ndjejmë se të shtrëngojnë më fort zinxhirët e së keqes dhe të frikës. Zoti, me forcën e Shpirtit të tij, dëshiron t'i përsërisë edhe sot djallit të mallkuar:

“Ik, lëre të qetë atë zemër, mos e përça botën, familjet, bashkësitë tona; lëri të jetojnë të qeta, që atje të lulëzojnë frytet e Shpirtit tim, jo tëndit. Që dashuria, gëzimi dhe butësia të mbretërojnë ndërmjet tyre e, në vend të dhunës dhe thirrjeve të urrejtjes, të ketë liri e paqe, respekt e kujdes për të gjithë”.

Krishti na e beson ëndrrën për çlirim nga djalli

Krishti dëshiron të na çlirojë përgjithmonë nga djalli dhe këtë ëndërr për liri na e beson ne, vigjilencës sonë - duke na porositur të mos dialogojmë kurrë me djallin - dhe lutjes sonë - që e lë Atë të na shërojë.

Këtë theksoi fort Papa, duke përfunduar me breshërinë e pyetjeve, në fund të lutjes e duke na nxitur, sidomos, ta pyesim veten: a dua vërtet  të çlirohem nga ata zinxhirë, që ma shtrëngojnë zemrën? A di t'i them "jo" tundimeve të së keqes, para se ato të më depërtojnë në shpirt? E, së fundi, a e thërras Jezusin, a e lejoj atë të veprojë në mua, të ma shërojë shpirtin e lodhur e të kapitur nga ndeshja me djallin?

Pyetje të reja, për ditët e reja të javës që vjen, ngarkuar me të mira e të këqija e që na nxisin të lutemi me fjalët e Atit të Shenjtë, në përfundim të këtij kremtimi të lutjes së Engjëllit të Zotit:

 “Virgjëra e Shenjtë na ruajtë prej gjithë së keq”.

28 janar 2024, 12:43

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >