Kërko

2024.03.10 Angelus 2024.03.10 Angelus

Papa: Jezusi nuk erdhi për ta dënuar, por për ta shpëtuar botën

"Krishti nuk ka ardhur për të dënuar, por për të shpëtuar botën". Ai e përqafon jetën tonë dhe nuk i intereson “të na nxjerrë në gjyq e të na nënshtrojë dënimeve”. Kështu Papa Françesku në lutjen e Engjëllit të Zotit të Dielën e Katërt të Kreshmës duke komentuar Ungjillin e ditës nga shën Gjoni. Prandaj edhe ne nuk duhet t'i dënojmë të tjerët, të mos flasim keq apo të kërkojmë thashetheme, por të shikojmë veten me të njëjtin vështrim të mëshirës që Zoti ka ndaj nesh.

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku kremtoi sot, mes ditë në Sheshin e Shën Pejtrit, lutjen e Engjëllit të Zotit të së Dielës IV të kohës së Kreshmëve. E para lutjes mariane komentoi pjesën e Ungjillit të kësaj së diele nga shën Gjoni (Gj 3,14-21) që na flet për dialogun e Jezusit me Nikodemin, gjatë të cilit Jezusi e pati krahasuar kryqëzimin me lartimin e gjarprit në shkretëtirë e pati përfunduar: “Po ashtu duhet të lartësohet edhe Biri i Njeriut, që kushdo beson në të, ta ketë jetën e pasosur”(Gjn 3,14). E vetëm pak para mundimeve të Tij, pati thënë: “Kur të jem lartësuar nga toka, do t’i tërheq tek unë të gjithë njerëzit”(12,32).

"Krishti nuk ka ardhur për të dënuar, por për të shpëtuar botën". Ai e përqafon jetën tonë dhe nuk i intereson “të na nxjerrë në gjyq e të na nënshtrojë dënimeve”. Kështu Papa Françesku në lutjen e Engjëllit të Zotit të Dielën e Katërt të Kreshmës duke komentuar Ungjillin e ditës nga shën Gjoni. Prandaj edhe ne nuk duhet t'i dënojmë të tjerët, të mos flasim keq apo të kërkojmë thashetheme, por të shikojmë veten me të njëjtin vështrim të mëshirës që Zoti ka ndaj nesh.

“Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!”. Me këtë përshëndetje e nis gjithnjë Papa katekizmin para lutjes së Engjëllit të Zotit, edhe këtë të Diel IV të Kreshmëve, kur Ungjilli na paraqet figurën e Nikodemit (shih Gjoni 3,14-21), farize, "një nga udhëheqësit e judenjve" (Gjn 3,1). Ai - kujtoi Françesku - shikon shenjat që bëri Jezusi, njeh në Të një mjeshtër të dërguar nga Hyji dhe shkon ta takojë natën, për të mos u dukur. Zoti e mirëpret, dialogon me të dhe i zbulon se nuk erdhi për ta dënuar, por për ta shpëtuar botën (shih v. 17).

Jezusi vjen për të na shpëtuar!

Le të ndalemi e të reflektojmë për këtë - e ftoi turmën e besimtarëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit Papa - Jezusi nuk erdhi për ta dënuar, por për të shpëtuar botën:

“Shpesh në Ungjill ne e shohim Krishtin duke zbuluar qëllimet e njerëzve që takon, ndonjëherë edhe duke demaskuar qëndrimet e rreme, si me farizenjtë (shih Mt 23,27-32), ose duke i bërë ata të reflektojnë mbi çrregullimin e jetës së tyre, si me samaritanen (shih Gjoni 4,5-42). Para Tij nuk ka të fshehta: Ai lexon zemrat. Kjo aftësi mund të jetë shqetësuese sepse, nëse përdoret gabimisht, i dëmton njerëzit, duke i ekspozuar ndaj gjykimeve pa mëshirë”.

Askush nuk është i përsosur

Askush nuk është i përsosur - nënvizoi Papa - të gjithë jemi mëkatarë, të gjithë bëjmë gabime, e nëse Zoti do të përdorte njohjen e ligështive tona për të na dënuar, askush nuk do të mund të shpëtohej. Por nuk është kështu. Ai nuk i përdor mëkatet tona për të na drejtuar gishtin, por për ta përqafuar jetën tonë, për të na çliruar nga fajet dhe për të na shpëtuar:

“Jezusi nuk është i interesuar të na nxjerrë në gjyq për të na dënuar; Ai dëshiron që askush nga ne të mos humbasë. Vështrimi i Zotit mbi ne nuk është fener verbues, që na i terratis sytë dhe na vë në vështirësi, por drita e butë e një llambe miqësore, e cila na ndihmon të shohim të mirën dhe të kuptojmë të keqen, të kthehemi dhe të shërohemi me mbështetjen e me hirin e tij”.

Jezusi nuk erdhi për të dënuar …

“Jezusi nuk erdhi për ta dënuar, por për ta shpëtuar botën”. Krishti i njeh mirë mëkatet tona. E pra nuk e përdor kurrë këtë njohje për të na ndëshkuar, por për të na shëlbuar në falje, ndaj ne të krishterët jemi të thirrur të bëjmë të njëjtën gjë.

Nëse Ati nuk e dërgoi Jezusin për të dënuar botën, ai sigurisht që nuk na dërgon as ne për ta bërë këtë! Ndërkaq, sa shumë gjykime negative, sa dënime i japim me shumë lehtësi:

“Por kush e njeh Jezusin sjell dritën e shpëtimit të Zotit, jo sakicën e gjykimeve të veta. Atëherë njohja dhe mirëkuptimi që kemi me të tjerët nuk është për t'i gjykuar, por për t'i ndihmuar”.

Pyetje që presin gjegje një ditë një javë, një jetë!

Papa e përfundon lutjen e Engjëllit të Zotit të kësaj së diele me një enumeracion pyetjesh, të domosdoshme për ata që duan të ruhen nga mëkati, posaçërisht gjatë këtyre ditëve, që na çojnë nga Kryqi – te Ngjallja e Krishtit.

Le të pyesim veten atëherë - na fton Françesku - a e lë Jezusin të më shpëtojë, duke  u gjunjëzuar para Tij veçanërisht në lutje dhe në rrëfim? E kur shoh kufizime tek të tjerët, si reagoj? A mendoj si t'i ndihmoj, apo i dënoj, i përgojoj, i gjykoj dhe i marr nëpër gojë? E kur mësoj ngjarjet e botës, a e thelloj të keqen me komentet e mia, apo lutem, interesohem a përpiqem të bëj diçka?

Pyetje që e gjejnë në çdo fund të lutjes së Engjëllit të Zotit, Marinë, në pritje tonë, që i kërkojmë çdo të diel çka na mungon:

“Na ndihmoftë Maria, që të dëshirojmë të mirën e njëri-tjetrit”.

10 mars 2024, 12:37

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >