Kërko

Shpëtimtarët në punë pas kalimit të tajfunit Ragasa Shpëtimtarët në punë pas kalimit të tajfunit Ragasa

Papa pranë viktimave të tajfunit në Azi. Më 1 nëntor Shën Newman doktor i Kishës

Leone XIV, para lutjes së Engjëllit të Zotit, shpreh mbështetjen dhe lutjet për vendet aziatike të prekura nga kalimi i një tajfuni shkatërrues, pastaj njoftimi i datës së dhënies së titullit kardinalit dhe teologut anglez Newman. Së fundi, mendimi i Papës shkon te katekistët, veçanërisht te ata që veprojnë në situata të vështira.

R.SH. / Vatikan

Gati në fund të Meshës kremtuar sot paradite në Vatikan për Jubileun e katekistëve dhe para recitimit të lutjes së Engjëllit të Zotit, Papa Leoni XIV nuk harron aktualitetin engjarjeve aktuale urgjente. Mendimi i tij shkon veçanërisht në Azi ku "një tajfun me forcë të jashtëzakonshme ka goditur – thotë Ati i Shenjtë – disa territore aziatike, veçanërisht Filipinet, ishullin e Tajvanit, qytetin e Hong Kongut, rajonin e Guangdongut dhe Hainanit".

Jam pranë popullsive të prekura, veçanërisht më të varfërve dhe lutem për viktimat, të zhdukurit, familjet e shumta të zhvendosura, shumë njerëz që kanë pësuar vështirësi e gjithashtu edhe për shpëtimtarët dhe autoritetet civile. Ftoj të gjithë të kenë besim në Zotin dhe në solidaritetin. Zoti u dhëntë forcë dhe guxim për të triumfuar mbi çdo fatkeqësi.

Tajfuni Ragasa, i cili sipas ekspertëve është më i forti i regjistruar në vitin 2025, ka detyruar evakuimin e mbi dy milionë njerëzve vetëm në Guangdong. Përveç dëmeve të mëdha, përmbytjeve, ndërprerjeve të energjisë elektrike dhe rrëshqitjeve të dheut, ka shkaktuar të paktën 25 të vdekur në Filipine dhe 14 persona në Tajvan. Autoritetet vietnameze kanë urdhëruar evakuime masive në pritje të ndikimit të tajfunit me erëra deri në 133 km në orë dhe rrezikun e përmbytjeve.

Shën John Newman, doktor i Kishës

Papa Leoni XIV më pas tregon datën e dhënies së titullit Doktor i Kishës, të shpallur që më 31 korrik, për kardinalin John Henry Newman, i cili fillimisht u shpall i Lum nga Papa Benedikti XVI më 19 shtator 2010 dhe më pas u kanonizua, pra, u shpall Shenjt nga Papa Françesku më 13 tetor 2019.

Kam gëzimin të njoftoj se më 1 nëntor të ardhshëm, në kuadër të Jubileut të botës edukative, do t'i jap titullin Doktor i Kishës Shën John Henry Newman, i cili kontribuoi në mënyrë vendimtare në ripërtëritjen e teologjisë dhe në kuptimin e Doktrinës së krishterë në zhvillimin e saj.

I lindur më 21 shkurt 1801 në Londër, John Henry Newman në moshën 24-vjeçare u bë pastor anglikan, në vitin 1845 kërkoi të hynte në Kishën Katolike, dy vjet më pas u shugurua meshtar. Teolog dhe filozof i shkëlqyer, ai u krijua Kardinal nga Papa Leoni XIII dhe zgjodhi moton: "Cor ad cor loquitur", "Zemra i flet zemrës", një frazë që i atribuohet Shën Françeskut të Sales dhe që Papa Françesku e pati kujtuar në Enciklikën Dilexit nos duke theksuar se vendi i takimit më të thellë të "mendimtarit të madh" me veten dhe me Zotin ishte "dialogu gjatë lutjes, zemër më zemër, me Krishtin e Gjallë dhe të pranishëm". "Prandaj Newman gjente në Eukaristi – theksonte Françesku – Zemrën e Jezusit të Gjallë, të aftë për të çliruar, për t'i dhënë kuptim çdo momenti dhe për të mbushur njeriun me paqen e vërtetë".

Mirënjohja e Papës për katekistët

Më pas, Papa Leoni XIV, me gjithë zemër, u drejton një përshëndetje katekistëve të krijuar sot gjatë kremtimit të Meshës, por edhe atyre që veprojnë në mbarë botën, veçanërisht në kontekste të vështira.

Dëshiroj t'u dërgoj një urim të përzemërt për shërbimin e mirë katekistëve, katekisteve të gjithë Kishës të shpërndarë kudo në botë. Faleminderit juve për shërbimin tuaj ndaj Kishës! Të lutemi për ta, veçanërisht për ata që veprojnë në kushte me vështirësi të mëdha. Zoti ju bekoftë të gjithëve.

Një mendim edhe për shtegtarët e pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan dhur nga vende të ndryshme.

28 shtator 2025, 14:05

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >