Papa: shkëndija shprese në Tokën Shenjte, përpara me guxim. Ardhtë paqja në Ukrainë
R.SH. – Vatikan
Nga njëra anë, shpresa për Tokën Shenjte, pas nënshkrimit të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza: e zbehtë, por e shndritshme si një "shkëndijë". Nga ana tjetër, dhimbja për Ukrainën, viktimë e sulmeve të reja brutale, që kanë shkatërruar qytete, infrastruktura dhe jetë njerëzore. Papa Leoni XIV përmendi dy frontet kryesore të luftës në botën e sotme, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, në fund të meshës për Jubileun e Përshpirtërisë Mariane, në Sheshin e Shën Pjetrit e, bëri edhe një herë thirrje për paqe.
Për atë paqe të paarmatosur dhe çarmatosëse, siç tha kur iu paraqit botës, në fillim të papnisë. Ati i Shenjtë e shoqëroi thirrjen me ftesën për "guxim". Guxim për të çuar përpara aspiratën për paqe; guxim për të filluar dialogun, guxim - siç pohoi mbrëmë në Shën Pjetër, pas Rruzares, duke iu drejtuar të pushtetshmëve të botës - për t’i lënë mënjanë armët.
Paqe e drejtë dhe e qëndrueshme
Në veçanti, Papa komentoi marrëveshjen për fillimin e procesit të paqes në Tokën Shenjte, e cila, theksoi ai, "na dhuroi një shkëndijë shprese". Ai i inkurajoi palët e përfshira të vazhdojnë "me guxim" përgjatë rrugës së filluar drejt paqes.
“Një paqe e drejtë, e qëndrueshme, që respekton aspiratat legjitime të popullit izraelit dhe të popullit palestinez”.
Pranë dhimbjes së atyre, që kanë humbur gjithçka
Pavarësisht nga shpresa, Papa nuk harroi të shohë gjendjen aktuale, "vdekjen dhe rrënojat" e dy viteve të konfliktit, ndërsa qarkullojnë në gjithë botën pamjet e qindra mijëra palestinezëve, që kthehen në shtëpitë e shkatërruara dhe kamionët e parë të ndihmave ndërkombëtare, që hyjnë në Rripin e Gazës. Leoni XIV nuk foli thjesht për shkatërrim fizik, por për shkatërrim shpirtëror, "veçanërisht në zemrat e atyre, që kanë humbur brutalisht fëmijët, prindërit, miqtë, gjithçka".
“Me të gjithë Kishën, jam pranë dhimbjes suaj të pafundme. Sot, është veçanërisht për ju përkëdhelja e Zotit, siguria se, edhe në terrin më të errët, Ai rri gjithmonë me ne”.
Të rizbulojmë se tjetri nuk është armik
"Dilexi te", përsëriti Papa titullin e Nxitjes së tij të parë apostolike, që ripohon dashurinë e pafundme të Zotit për njerëzimin, të cilin Hyji e deshi, pa e zgjodhi. E, megjithatë, ai duket gjithnjë e më larg mandatit të Zotit për ta dashur njëri-tjetrin si vëllezër e motra. Pikërish Hyjit, "Paqja e vetme e njerëzimit", Ipeshkvi i Romës i kërkoi ndihmë:
“T'i lutemi të shërojë të gjitha plagët dhe të na ndihmojë me hirin e tij për të arritur atë, që tani duket e pamundur për njerëzit: të rizbulojmë se tjetri nuk është armik, por vëlla, ose motër, të cilën mund ta shikojmë, ta falim dhe t'i ofrojmë shpresën e pajtimit”.
Të ndalet shkatërrimi në Ukrainë
Më pas, Leoni XIV pohoi se ndjek "me hidhërim" lajmet për "sulme të reja e të dhunshme, që kanë goditur disa qytete dhe infrastrukturën civile në Ukrainë, duke shkaktuar vdekjen e njerëzve të pafajshëm, përfshirë fëmijë, si edhe duke lënë shumë familje pa energji elektrike dhe ngrohje". Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se kundër qyteteve ukrainase janë përdorur afërsisht 3.100 dronë, 92 raketa dhe rreth 1.360 bomba. Janë raportuar vdekje dhe plagosje të shumta, veçanërisht në rajonin e Donetskut.
"Zemra ime - pohoi Papa - bashkohet me vuajtjet e popullsisë, e cila jeton prej vitesh me ankth e privime... E përsëris thirrjen për t'i dhënë fund dhunës, për ta ndalur shkatërrimin dhe për t’ua hapur zemrat dialogut e paqes”.
Tranzicioni politik në Peru
Papa shprehu afërsinë e tij edhe me popullin "e dashur" të Perusë, tokën e tij të misionit, që po kalon një tranzicion politik. Ati i Shenjtë iu referua krizës së fundit, shkaktuar nga largimi i presidentes Dina Boluarte, në detyrë që nga dhjetori 2022. Ajo u shkarkua nga detyra ditët e fundit nga Parlamenti i Limës, pas protestave në rrugë.
“Lutem që Peruja të vazhdojë në rrugën e pajtimit, dialogut dhe unitetit kombëtar”.
Një mendim për viktimat e punës
Para se të thoshte Engjëllin e Tënzot me 50.000 besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Leoni XIV pati një mendim edhe për viktimat e aksidenteve në vendin e punës, tragjedi në rritje që përkujtohet sot në Itali me një Ditë të veçantë: "Të lutemi për ta dhe për sigurinë e të gjithë punëtorëve", përfundoi Ati i Shenjtë.