Kërko

Leoni XIV: me përvujtëri dhe guxim t’ia besojmë gabimet tona mëshirës së Zotit

Gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit, Papa ndalet te pjesa e Ungjillit të kësaj së diele, që tregon shëmbëlltyrën e fariseut dhe tagrambledhësit që luten në Tempull. I pari lartëson meritat e tij, por fsheh mëkatet e tij të vërteta, i dyti, përkundrazi, paraqitet me guxim para Zotit ashtu siç është, mëkatar. "Nëse edhe ne bëjmë si tagrambledhësi, Mbretëria e Zotit do të rritet, në ne dhe rreth nesh"

R.SH. – Vatikan

Nuk shëlbohemi duke shfaqur meritat tona, as duke fshehur gabimet tona, por duke u paraqitur me ndershmëri, ashtu siç jemi, para Zotit, para vetes dhe para të tjerëve, duke kërkuar falje dhe duke besuar në hirin e Zotit.

Në këtë mënyrë Papa Leoni XIV, gjatë lutjes së sotme të Engjëllit të Zotit, kremtuar në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, përmbledh mesazhin e përmbajtur në shëmbëlltyrën ungjillore të fariseut dhe tagrambledhësit që luten në Tempull. Jezusi e tregon atë në një fragment të Ungjillit sipas Lukës, lexuar gjatë liturgjisë së kësaj të diele të 30 gjatë vitit kishtar.

Vëllezër dhe motra të dashur, gëzuar të dielën!

Sot Ungjilli (shih Luka 18:9-14) na paraqet dy figura, një farize dhe një taksamledhës, duke u lutur në Tempull.

I pari krenohet me një listë të gjatë meritash. Kryen shumë vepra të mira dhe për këtë arsye ndihet më mirë se të tjerët, të cilët i gjykon me përbuzje. Rri me kokën lart. Qëndrimi i tij është dukshëm arrogant: tregon se respekton saktë Ligjin, po, por pa dashuri, me "dhënie" e "marrje", borxhe e kredi, pa mëshirë.

Tagmbledhësi lutet gjithashtu, por në një mënyrë shumë të ndryshme. Ka shumë për t'u falur: është  mbledhës taksash në pagën e Perandorisë Romake dhe puna e tij, sipas një kontrate që i lejon të spekulojë mbi të ardhurat në kurriz të bashkatdhetarëve të tij. Megjithatë, në fund të shëmbëlltyrës, Jezusi na tregon se nga të dy, është ai që kthehet në shtëpi "i justifikuar", domethënë i falur dhe i përtërirë nga takimi i tij me Zotin. Pse?

Para së gjithash, tagrambledhësi ka guximin dhe përulësinë për t'u paraqitur para Zotit. Ai nuk tërhiqet në botën e tij, nuk i dorëzohet të keqes së bërë. Largohet nga vendet ku është i frikësuar, i sigurt, i mbrojtur nga pushteti që ushtron mbi të tjerët. Vjen në Tempull vetëm, pa shoqërues, madje edhe me koston e përballjes me shikime të ashpra dhe gjykime të ashpra, dhe qëndron para Zotit, në fund, me kokën ulur, duke shqiptuar disa fjalë: "O Zot, ji i mëshirshëm me mua mëkatarin" (vargu 13).

Kështu Jezusi na jep një mesazh të fuqishëm: nuk është duke u mburrur me meritat tona që shpëtohemi, as duke fshehur gabimet tona, por duke u paraqitur me ndershmëri, ashtu siç jemi, para Zotit, para vetes dhe para të tjerëve, duke kërkuar falje dhe duke ia besuar veten hirit të Zotit.

Duke komentuar këtë episod, Shën Augustini e krahason farizeun me një të sëmurë që, nga turpi dhe krenaria, i fsheh plagët nga mjeku, ndërsa tagrambledhësin me një tjetër që, me përulësi dhe mençuri, i zbulon plagët e tij para mjekut, sado të shëmtuara që të jenë, duke kërkuar ndihmë. E përfundon: "Nuk na çuditë [...] nëse ai tagrambledhës, i cili nuk turpërohej të tregonte pjesën e tij të sëmurë, kthehej [...] i shëruar" (Sermo 351,1).

Vëllezër dhe motra të dashur, le të bëjmë të njëjtën gjë. Le të mos kemi frikë të pranojmë gabimet tona, t'i zbulojmë, duke marrë përgjegjësinë për to dhe duke ia besuar mëshirës së Zotit. Kështu, Mbretëria e Tij do të jetë në gjendje të rritet në ne dhe përreth nesh: Mbretëri që nuk u përket krenarëve, por të përvuajtëve, që kultivohet, në lutje dhe në jetë, përmes ndershmërisë, faljes dhe mirënjohjes.

T'i kërkojmë Marisë, modelit të shenjtërisë, të na ndihmojë të rritemi në këto virtyte.

26 tetor 2025, 12:35

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >