Papa në lutjen e Engjëllit të Zotit: “Kisha i bashkon të gjithë në një melodi të vetme, të ëmbël”
R.SH. / Vatikan
Motra dhe vëllezër të dashur,
në psalmin përgjegjës kënduam: "Do të shkojmë me gëzim në shtëpinë e Zotit" (krh. Ps 121). Liturgjia e sotme na fton, pra, të ecim së bashku me lavdërim e gëzim drejt Zotit Jezu Krisht, Mbretit të Gjithësisë, Sovranit të butë e të përvujtë! Atij, që është fillimi dhe fundi i të gjitha sendeve.
Fuqia e Tij është dashuria; froni i Tij, Kryqi dhe, nëpërmjet Kryqit, Mbretëria e Tij rrezaton në të gjithë botën.
"Nga Kryqi ai mbretëron" (krh. Himni Vexilla Regis) si Princ i Paqes dhe Mbret i Drejtësisë i cili, me Mundimet e Tij, i zbulon botës mëshirën e pamasë të zemrës së Zotit. Kjo dashuri është gjithashtu frymëzimi dhe arsyeja për këngën tuaj”.
Detyra juaj, lavdërimi i Zotit
Të dashur koristë e muzikantë - vijoi Papa Leoni XIV duke iu drejtuar këngëtarëve të rinj - sot ju kremtoni jubileun tuaj dhe falënderoni Zotin që ju dha dhuratën dhe hirin për t'i shërbyer atij, duke ofruar zërat dhe talentet tuaja për lavdinë e tij dhe për ndërtimin shpirtëror të vëllezërve dhe motrave tuaja (krh. Këshilli i Dytë Ekumenik i Vatikanit, Kushtetuta Sacrosanctum Concilium, 120).
Detyra juaj është t’i angazhoni ata në lavdërimin e Zotit dhe t’i përfshini në veprimin liturgjik përmes këngës. Sot ju shprehni plotësisht “iubilum”-in tuaj, ngazëllimin tuaj, i cili vjen nga një zemër e përmbytur me gëzimin e hirit.
Emocionet që na lindin në shpirt, mund të gjejnë shprehje në muzikë
Qytetërimet e mëdha na kanë dhënë dhuratën e muzikës - vijoi Papa - në mënyrë që të shprehim çka vlon thellë në zemrat tona, që fjalët nuk mund t’i shprehin gjithmonë.
Muzika, gurrë e emocioneve tona
I gjithë spektri i ndjenjave - shpjegoi Papa në vijim të lutjes së Engjëllit të Zotit - e edhe i emocioneve që lindin brenda nesh nga një marrëdhënie e gjallë me realitetin, mund të gjejnë shprehje në muzikë.
Kënga, në veçanti, përfaqëson shprehje natyrale dhe të plotë të qenies njerëzore: mendja, ndjenjat, trupi dhe shpirti bashkohen këtu për të komunikuar gjërat e mëdha të jetës. Siç na kujton Shën Augustini: “Cantare amantis est” (shih Predikimin 336, 1), që domethënë:
“Kënga është e përshtatshme për atë që do”. Sepse ‘ai që këndon, shpreh dashurinë, por edhe dhimbjen, butësinë dhe dëshirën që banojnë në zemrën e tij e, në të njëjtën kohë, e do atë të cilit i këndon (shih Enarrationes në Psalmos, 72, 1).
"Kënga e re" që Krishti i Ngjallur e krijon për Atin
Për Popullin e Zotit - vijoi Papa Leoni XIV - të kënduarit shpreh thirrje dhe lavdërim. Është "kënga e re" që Krishti i Ngjallur ia këndon Atit, duke i bërë të gjithë të pagëzuarit të marrin pjesë në të, si një trup i vetëm i gjallëruar nga Jeta e re e Shpirtit.
Në Krishtin, ne bëhemi këngëtarë të hirit, bij të Kishës që gjejnë në të Ngjallurin shkakun e lavdërimit të tyre. Muzika liturgjike bëhet kështu instrument i çmuar përmes të cilit ne kryejmë shërbesën e lavdërimit ndaj Zotit dhe shprehim gëzimin e jetës së re në Krishtin.
Ne, udhëtarë të lodhur, parashijomë në këngë gëzimin
Shën Augustini na nxit përsëri të ecim, ndërsa këndojmë, si udhëtarë të lodhur, të cilët gjejnë në këngë parashijimin e gëzimit që do ta përjetojnë, kur të arrijnë në destinacionin e tyre.
Çfarë vlere ka kënga?
"Këndoni, por ecni [...] përparoni në të mirë(Sermo 256, 3" - vijoi të shpjegojë Papa:
Prandaj, të jesh pjesë e një kori, do të thotë të ecësh përpara së bashku, të marrësh vëllezërit dhe motrat për dore, t'i ndihmosh të ecin me ne dhe të këndosh me ta lavdërimin e Zotit, t'i ngushëllosh në vuajtjet e tyre, t'i inkurajosh kur duket se i nënshtrohen lodhjes, t'i frymëzosh kur lodhja duket se mbizotëron. Kënga na kujton se jemi Kishë në shtegtim, në një realitet autentik sinodal, e aftë të ndajë me të gjithë thirrjen për lavdërim dhe gëzim, në një shtegtim dashurie dhe shprese.
Prekëse, lidhja e korit me Kishën
Edhe Shën Injaci i Antiokisë përdor fjalë prekëse, duke e lidhur këngën e korit me unitetin e Kishës: "Nga uniteti juaj dhe dashuria juaj harmonike, ne i këndojmë Jezu Krishtit. Dhe secili prej jush bëhet kor, në mënyrë që në harmoninë e pëlqimit tuaj, duke marrë tonin e Zotit në unitet, ju të këndoni njëzëri përmes Jezu Krishtit, në mënyrë që ai t'ju dëgjojë dhe t'ju njohë për veprat tuaja të mira" (Shën Injaci i Antiokisë, Drejtuar Efesianëve, IV).
“Në të vërtetë, zërat e ndryshëm të një kori harmonizohen me njëri-tjetrin, duke dhënë një lavdërim të vetëm, një simbol të ndritshëm të Kishës, e cila në dashuri i bashkon të gjithë në një melodi të vetme të ëmbël”.
Ju i përkisni koreve që e kryejnë aktivitetin e tyre kryesisht në shërbim liturgjik. Shërbesa juaj është shërbesë e vërtetë që kërkon përgatitje, besnikëri, mirëkuptim të ndërsjellë dhe, mbi të gjitha, një jetë të thellë shpirtërore. Nëse luteni ndërsa këndoni, ndihmojini të gjithë të luten. Është një shërbesë që kërkon disiplinë dhe frymë shërbimi, veçanërisht kur përgatisni liturgji solemne ose ndonjë ngjarje të rëndësishme për komunitetet tuaja.
Kori, familje muzikantësh
Kori është familje e vogël njerëzish të larmishëm, të bashkuar nga dashuria për muzikën dhe shërbimin që ofrojnë. Megjithatë, mbani mend se komuniteti është familja juaj e zgjeruar: ju nuk qëndroni para tij, por jeni pjesë e tij, të përkushtuar për ta bërë atë më të bashkuar duke e frymëzuar dhe duke e përfshirë atë - porositi Papa - Si në të gjitha familjet, mund të lindin tensione ose keqkuptime të vogla, të cilat janë normale kur punoni së bashku dhe përpiqeni të arrini një qëllim.
Mund të themi se kori është një lloj simboli i Kishës, e cila, duke u përpjekur drejt qëllimit të saj, ecën nëpër histori duke lavdëruar Zotin. Edhe pse ky udhëtim nganjëherë është i mbushur me vështirësi dhe sprova, dhe çastet e gëzueshme alternohen me çaste më të vështira, kënga e bën udhëtimin më të lehtë dhe sjell lehtësim dhe ngushëllim.
Koret, mrekulli bukurie
Përpiquni, pra – vijoi Papa - t’i transformoni gjithnjë e më shumë koret tuaja në një mrekulli harmonie dhe bukurie, duke u bërë gjithnjë e më shumë pamje e ndritshme e Kishës që lëvdon Zotin e saj. Studioni me kujdes Magjisterin e Kishës, i cili tregon në dokumentet e Koncilit II të Vatikanit normat për kryerjen më të mirë të shërbimit tuaj. Mbi të gjitha, jini të aftë të përfshini gjithmonë popullin e Zotit, pa iu dorëzuar tundimit të shfaqjes që përjashton pjesëmarrjen aktive të të gjithë asamblesë liturgjike në këndim. Në këtë, jini një shenjë elokuente e lutjes së Kishës, e cila shpreh dashurinë e saj për Zotin përmes bukurisë së muzikës.
“Jini vigjilentë që jeta juaj shpirtërore të jetojë gjithmonë në nivelin e shërbimit që kryeni e që të mund të shprehë në mënyrë autentike hirin e Liturgjisë”.
Nën mbrojtjen e Shën Çeçiles
Ju vë të gjithëve nën mbrojtjen e Shën Çeçiles, virgjërës e martires që këtu në Romë këndoi këngën më të bukur, duke ia dhuruar veten tërësisht Krishtit dhe duke i ofruar Kishës dëshminë e saj të ndritshme të fesë e të dashurisë.
“Ta vazhdojmë me këngë dhe ta bëjmë tonën, edhe një herë, ftesën e Psalmit përgjegjës të liturgjisë së sotme:
‘Të shkojmë të gëzuar në shtëpinë e Zotit’”.