Papa: bashkimi me Jezusin është ajo që na bën dritë paqeje për botën
R.SH. / Vatikan
Për të qenë vërtet "kripë e tokës" dhe "dritë e botës", duhet ta "lejojmë veten të ushqehemi" dhe të ndriçohemi "nga bashkimi me Jezusin". Vetëm në këtë mënyrë, ashtu si dishepujt e transformuar nga takimi i tyre me Mjeshtrin e Lumturive, mund të jemi mbartës të "gëzimit të vërtetë", gëzimit që i jep shije jetës dhe e nxjerr në dritë "atë që nuk ishte më parë". Kështu, në katekizmin para lutjes së Engjëllit, të Zotit përballë mijëra besimtarëve në Sheshin e Shën Pjetrit, në një ditë me re, Papa Leoni XIV rilexoi Ungjillin e Mateut, protagonistin e liturgjisë së kësaj të diele të pestë të Kohës së zakonshme.
Pa asnjë shfaqje, do të jemi atëherë si një qytet mbi kodër, jo vetëm i dukshëm, por edhe ftues dhe mikpritës: qyteti i Zotit në të cilin të gjithë, në fund të fundit, dëshirojnë të banojnë dhe të gjejnë paqe.
Etje për drejtësi që aktivizon mëshirën dhe paqen
Gëzimi, që mund të na bëjë kripë dhe dritë, vijoi Papa, "buron nga stili i jetës, nga mënyra për të banuar tokën e për të jetuar së bashku" që shkëlqen në Jezusin. Është shija e re "e gjesteve dhe e fjalëve të tij".
Pas takimit me të, çdo gjë që distancohet nga varfëria e shpirtit, butësia dhe thjeshtësia e zemrës, uria dhe etja për drejtësi, të cilat aktivizojnë mëshirën dhe paqen si dinamika të transformimit dhe pajtimit, duket e pashije dhe e errët.
Gjeste konkrete mirëseardhjeje që ndalojnë padrejtësinë
Leoni XIV kujtoi edhe fjalët e Izaisë në Leximin e Parë të liturgjisë së kësaj së diele nga Libri Isaisë profet, kur renditi gjestet konkrete që ndalojnë padrejtësinë: "ndajeni bukën tuaj me të uriturit, sillini të varfrit dhe të pastrehët në shtëpinë tuaj, vishini të zhveshurit kur i shohim dhe mos i largoni fqinjët e familjen tuaj". Isaia përmend një dritë që "do të lindë si agimi" për të larguar errësirën dhe për të shëruar plagët tona.
Zoti nuk do të na flakë kurrë poshtë
Plagë që hapen në zemrat e atyre, të cilët heqin dorë nga gëzimi, në kripën që humbet shijen dhe e cila, thotë Jezusi, "nuk është e mirë për asgjë tjetër veçse të hidhet dhe të shkelet me këmbë".
Sa njerëzve - ndoshta e kemi përjetuar – u duket sikur meritojnë të hidhen tutje, gabim. Duket sikur drita e tyre është fshehur. Jezusi, ndërkaq, na shpall një Zot që nuk do të na hedhë kurrë tutje, një Atë që ruan emrin tonë, veçantinë tonë.
Gjeste hapjeje që u ringjallin gëzimin të tjerëve
Çdo plagë, siguron Papa, do të shërohet duke mirëpritur fjalët e Lumturive dhe duke rikthyer udhëtimin tonë drejt Ungjillit.
Gjestet e hapjes ndaj të tjerëve dhe vëmendjes janë ato që ringjallin gëzimin. Sigurisht, në thjeshtësinë e tyre, na shtyjnë kundër rrymës. Tundimi, ashtu si me Jezusin, është të mburret dhe të pohojë identitetin e vet, por duke vepruar kështu do të humbiste shijen "që e rizbulojmë çdo të diel në Bukën e thyer: jetën e dhuruar, dashurinë që nuk bën zhurmë".