Kërko

Papa: në gjysmëhijen e historisë, Lumturitë janë drita që ripërtërijnë jetën

Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Leoni XIV shpjegoi se gjatë fjalimit në Mal, Jezusi zbuloi planin e shëlbimit të Zotit, i vetmi që mund t’i "kënaqë ata, të cilët kërkojnë paqen e drejtësinë", "burimin e shpengimit" dhe "spirancën e së vërtetës" në gënjeshtra. Për shkak të Krishtit dhe falë Tij, hidhërimi i provave shndërrohet në gëzimin e të shpenguarve.

R.SH. - Vatikan

Është "ligj i ri" që Jezusi "ua jep" dishepujve të tij duke shpallur Lumturitë, "drita" që Zoti "i ndez në gjysmëerrësirën e historisë, duke zbuluar "planin e shëlbimit, që e vë në jetë përmes Birit të vet, me fuqinë e Shpirtit Shenjt". E "është një ligj që ripërtërin jetën tonë dhe e bën të mirë, edhe kur botës i duket e dështuar dhe e mjerë", theksoi Papa gjatë lutjes së sotme të Engjëllit të Tënzot, duke komentuar Ungjillin e së Dielës së 4-të gjatë vitit kishtar na shën Mateu, nga dritarja e Pallatit Apostolik, në prani të shumë besimtarëve të ardhur nga vende të ndryshme në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan.

Vetëm Zoti mund t’i quajë të varfrit dhe të vuajturit vërtet të lum, sepse Ai është e mira e pamabaruar që u dhurohet të gjithëve me dashuri të pafundme.

Vetëm Zoti mund t’i kënaqë ata që kërkojnë paqe dhe drejtësi, sepse Ai është gjykatësi i drejtë i botës, autori i paqes së përjetshme. Vetëm tek Zoti gjejnë gëzim të butët, të mëshirshmit, të pastërit në zemër, sepse Ai është përmbushja e dëshirës së tyre. Në persekutim, Zoti është gurra e shpengimit; në gënjeshtra, spiranca e së vërtetës. Prandaj, Jezusi shpall: “Gëzohuni dhe ngazëllohuni!”.

Jezusi ndriçon kuptimin e historisë

Ata që besojnë “se Zoti është i ndryshëm nga mënyra se si Krishti e zbulon Atë” i konsiderojnë Lumnitë “paradoks”, e ata të cilët besojnë “se të fuqishmit do të jenë gjithmonë zotër të tokës” habiten nga fjalimi i Jezusit; ata që në vend të kësaj mendojnë “se lumturia u përket të pasurve” mund të “besojnë se Jezusi është i mashtruar”. Por "iluzioni është pikërisht në mungesën e besimit në Krishtin", pohon Leoni XIV, i cili e përshkruan identitetin e Jezusit me pak fjalë: "Ai është njeriu i varfër, që e ndan jetën e tij me të gjithë; njeriu i butë, që vazhdon të vuaj, njeriu i paqes, i persekutuar deri në gozhdim në kryq", i drejti, që "ndriçon kuptimin e historisë: jo atë të shkruarën nga fitimtarët", por përkundrazi "atë që Zoti e bën duke shpëtuar të shtypurit".

Biri i Zotit e shikon botën me realizmin e dashurisë së Atit; ndërsa nga ana tjetër, siç thoshte Papa Françesku, janë "profesionistët e iluzionit. Nuk duhet t'i ndjekim këta njerëz, sepse janë të paaftë të na japin shpresë". Krishti Zot, në vend të kësaj, ua jep këtë shpresë para së gjithash atyre që bota i flakë tutje si njerëz të dëshpëruar..

Një provë lumturie

Praktikisht, Bekimet janë "provë lumturie"; një lumturie mbi të cilën Papa na fton të reflektojmë: a është "arritje që blihet, apo dhuratë që ndahet"? "A e vendosim në objekte që konsumohen, apo në marrëdhënie që na shoqërojnë?".

E Papa jep edhe përgjigjen:

"'Për shkak të Krishtit' dhe falë Tij", ndodh që "hidhërimi i provave të shndërrohet në gëzimin e të shpenguarve". Ky, për të cilën flet Jezusi, nuk është "ngushëllim i largët", por "hir i vazhdueshëm që na mbështet gjithmonë, veçanërisht në kohë vuajtjesh", përmbledh Leoni, që përfundon duke na kujtuar se:

“Lumturitë i lartojnë të përvuajturit e i shpërndajnë krenarët në mendimet e zemrave të tyre”.

01 shkurt 2026, 14:28

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >