Kërko

Françesku: e ardhmja e botës kalon mbi “urën” ndërmjet të rinjve e të moshuarve

Në katekizmin e audiencës së përgjithshme, kushtuar përsëri të moshuarve, Papa, duke rikujtuar lidhjen biblike ndërmjet vejushës së re, Rut dhe vjehrrës së moshuar, Noemi, nënvizon forcën që mund të gurrojë nga besëlidhja ndërmjet breznive të reja, mirënjohëse për dhuratat që morën, me breznitë e moshuara, që vijojnë të jetojnë duke e rinisur shtegtimin drejt së ardhmes së tyre, shpesh të pasigurt

R.SH. - Vatikan

Historia e lidhjes ndërmjet vejushës së re Rut dhe vjehrrës së moshuar Noemi është “mësim i çmuar për besëlidhjen ndërmjet breznive”, ndërmjet të rinjve, “të aftë për të ringjallur entuziazmin e moshës së pjekur";  dhe të moshuarave, “për t’ua rihapur udhët e së ardhmes të rinjve të plagosur nga jeta”. Popujt mund të kenë bekime të mëdha “nëse të rinjtë janë mirënjohës për çka morën, ndërsa të moshuarit marrin nismën për ta rifilluar të ardhmen”. Këtë nënvizoi Papa Françesku gjatë katekizmit të shtatë të ciklit kushtuar moshës së shkuar, titulluar “Noemi, besa e lidhur ndërmjet brezave, që shikon drejt së ardhmes”, mbajtur sot paradite për besimtarët e shumtë, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit. Shenjë  e ardhjes së një pranvere të re!

Libri i Rut, stoli e Biblës

Që në fillim të meditimit, Papa e quajti Librin e Rut “gur i çmuar i Biblës", sepse shëmbëlltyra e moabites “ndriçon bukurinë e lidhjeve familjare, krijuar nga marrëdhëniet e çiftit. Marrëdhënie, që shkojnë shumë më përtej. Është gramatika familjare e dashurisë, e cila  sjell limfë jetike dhe dije të trashëguara në të gjitha marrëdhëniet, që ndërtojnë bashkësinë”.  Për Françeskun libri i Rut së bashku me Këngën e Këngëve, formon “një diptik dashurie martesore”, sepse i këndon “fuqisë dhe poezisë së lidhjeve ndërmjet breznive e farefisnisë, por edhe përkushtimit e besnikërisë në gjirin e plejadës familjare”. E jo më pak, pse ndihmon për t’i kapërcyer edhe dramat, që prekin çiftin e “për të sjellë një forcë të paimagjinueshme dashurie, që siguron ardhmërinë”. E kjo të jep forcë  të papërfytyrueshme për të shikuar me shpresë të ardhmen.

Lidhja vjehërr-nuse, përtej paragjykimeve të zakonshme

Këtu lidhja ndërmjet vjehrrës dhe resë i kapërcen lidhjet farefisnore të krijuara nga martesa, mbasi - kujtoi Papa – “frymëzimi i besimit di të hapë një horizont dëshmie që u kundërvihet paragjykimeve të zakonshme”. Prandaj Papa na fton ta rishpfletojmë librin e Rut, “sepse na ndihmon në meditimin për dashurinë dhe në katekizmin mbi familjen”:

“Ky libër i vogël përmban një mësim të çmuar mbi besëlidhjen ndërmjet breznive: aty ku rinia është e aftë për rikthimin e entuziazmit në moshën e pjekur, pleqëria bëhet e aftë për t’i rihapur të ardhmen rinisë së plagosur”.

Dashuria e vjehrrës “liron” nuset e reja

Fillimisht - vijoi të kujtojë Papa Françesku - plaka Noemi, “ndonëse e prekur nga dashuria e nuseve, mbetur të veja nga vdekja e të bijve”, është pesimiste “për fatin e tyre në gjirin e një populli të huaj”. Kështu i nxit “të kthehen në familjet e veta, për të nisur një jetë të re. “Dua, po nuk mund të bëj asgjë për ju” - u thotë me përgjërim. E kjo është dashuri! Pasi plaka, e mbetur pa burrë dhe pa fëmijë, ngul këmbë që nuset të shikojnë jetën e tyre, jo të sajën.

Dashuria e të rinjve kundër pesimizmit të të moshuarve

Por  edhe Papa mendon si plaka! As ai nuk shikon të ardhme të mundshme për vejushat e huaja, pa mbrojtjen e burrave të tyre. Po Rut vendos ndryshe, mbasi lidhja me të vjehrrën “u bekua nga Zoti. Noemi nuk mund të kërkojë të braktiset". "Vjehrra në fillim  dorëzohet, ndonëse mendon se kjo lidhje e çuditshme do të krijojë rreziqe të reja për të dyja” në rrugëtimin e kthimit në Betlehem, në vendlindjen e saj. Në disa raste, komenton Papa, “prirjes pesimiste të të moshuarve u duhet kundërvënë këmbëngulja e përzemërt e të rinjve".

Naomi e inkurajon Rut të gjejë një burrë tjetër

Noemi, e prekur nga përkushtimi i Rut - nënvizoi Papa Françesku – “heq dorë nga pesimizmi, madje kërkon një të ardhme të re për Rut”. E inkurajon nusen e re e të bukur të gjejë burrë të ri në Izrael. Madje edhe ia gjen! Është Boozi, i cili e tregon fisnikërinë e tij, duke mbrojtur Ruth nga vartësit e tij. “Rrezik - vëren Papa -  që mund të ndodhë edhe sot”.

Të gjitha mrekullitë e kthimit të plakës Noemi

Me martesën e re të Rutit – komentoi Papa – “botët qetësohen përsëri". Gratë e Izraelit thonë se Rut, e huaja, vlen “më shumë se shtatë bij” dhe se martesa e saj do të jetë “bekim nga Zoti”. Kështu, shpjegon Françesku, “Noemi, në pleqëri, provon gëzimin e pjesëmarrjes në një lindje të re, përkund një brezni të re!”:

“Shikoni sa ‘mrekulli’ e shoqërojnë kthesën e kësaj gruaje të moshuar! Ajo bën kthesë e vihet, plot dëshirë për të ardhmen, në shërbim të një brezi të plagosur nga humbjet e në rrezik braktisjeje”.

Me fe dhe dashuri kapërcehen xhelozia dhe mosbesimi

 Paragjykimet mposhten, sipas Papës, me besim dhe dashuri: vjehrra e shuan xhelozinë për birin e saj, duke e zëvendësuar me dashurinë e një bije, me Rut.  Duke e vijuar meditimin, Papa Françesku i kundërvihet mendësisë që e shikon vjehrrën si  “shtrigë mitike”, domethënë, “figurë e keqe”, e thekson:

“Vjehrra është nëna e burrit tuaj, a nëna e gruas tuaj. Të mendojmë sot për një ndjenjë paksi tepër të përhapur ... që na kujton se vjehrra sa më larg të jetë, aq më mirë është. Jo! Ajo është nënë, është e moshuar. Një nga gjërat më të mira të gjysheve është t’i shohin nipërit e mbesat e tyre. Kur fëmijët e tyre bëjnë fëmijë, rikthehen në jetë. Shikoni mirë marrëdhënien që keni me vjehrrat dhe mos ... po, ndonjëherë janë pakëz të veçanta… por ju dhanë bashkëshortin, ju dhanë beben, ju dhanë gjithçka. Bëjini, prandaj, të lumtura, që  ta vijojnë lumturisht pleqërinë”.

Nëse kanë ndonjë të metë, mund të korrigjohen! Sidomos, “duke i vënë fre gjuhës, sepse gjuha është një nga mëkatet më të shëmtuara të vjehrrës".

 Një urë që mbart një rrymë shpëtimi dhe lumturie

Papa e përfundoi audiencën duke i porositur të rinjtë të flasin me të moshuarit, e të moshuarit, me të rinjtë:

“Ne duhet ta fuqizojmë këtë urë, sepse aty është rryma e shpëtimit, e lumturisë. Zoti na ndihmoftë duke e bërë të fortë, që të rritemi në harmoni në familje, në atë harmoni konstruktive, që shkon nga të moshuarit te më të rinjtë, atë urë të bukur, që duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë”.

27 prill 2022, 12:40

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >