Kërko

Françesku: Zoti nuk është gjykatës i zymtë, por i dhembshur e i butë

Në zgjedhjet që duhen bërë çdo ditë, aftësia dalluese është e nevojshme për të arritur në vendime që nuk e dëmtojnë jetën. Këtë theksoi Papa në audiencën e përgjithshme: “Fjala e Zotit është prani e gjallë, vepër e Shpirtit Shenjt që ngushëllon, udhëzon, jep dritë, forcë, freskim, prek zemrën dhe ndryshon jetën. Të lexosh Biblën, është si të marrësh telegrame të vogla nga Zoti

R.SH. - Vatikan

Në audiencën e përgjithshme Papa Françesku vazhdoi katekizimin kushtuar aftësisë dalluese, duke e shikuar si  praktikë të nevojshme në jetë. Jetë, të cilën duhet të mësojmë ta lexojmë, që të mos e shpërdorojmë dhe që çdo ditë na vë përpara zgjedhjeve: “në çka hamë, në çka lexojmë, në punë, në marrëdhënie”, që të mund t’i bëjmë me vetëdije. Mbasi nëse nuk zgjedhim, nëse nuk bëjmë dallim - vërejti Papa - "në fund të fundit është jeta ajo që zgjedh për ne, duke na çuar atje ku nuk duam".

Ndihma e Fjalës së Perëndisë dhe doktrina e Kishës

Aftësia dalluese nuk është gjë që mund të bëhet vetëm; ajo lehtësohet duke e "krahasuar me Fjalën e Zotit dhe doktrinën e Kishës", të cilat "na ndihmojnë ta lexojmë çka na rreh në zemër" të mësojmë ta njohim zërin e Zotit, duke e dalluar nga të gjithë zërat e tjerë. Nga Bibla mësojmë “se zëri i Zotit kumbon në qetësi, në vëmendje, në heshtje”. Si asokohe kur i pati folur Elisë Profet “në krahët e një ere të lehtë”- shpjegoi Françesku:

“Zëri i Zotit nuk imponohet, zëri i Zotit është i matur, respektues, e do t'ia lejoja vetes të them edhe se zëri i Zotit është i përulur dhe pikërisht për këtë, paqëtues. Sepse vetëm në paqe mund të hyjmë thellë brenda vetes dhe të njohim dëshirat e vërteta që  vë Zoti në zemrat tona. Shpesh herë nuk është e lehtë të hysh në qetësinë e zemrës, sepse jemi zënë me këtë e ate, këtu e  atje, gjithë ditën... Por të lutem, qetësohu pak, hyrë brenda vetes, në vetvete. Dy minuta, ndalo! Shiko çka të ndjen zemra!”.

Telegrame të vogla nga Zoti, që arrijnë në zemër

Pikërisht në çastet e qetësisë, mund të dëgjohet zëri i Zotit, i cili na bën t’i kuptojmë më mirë qëndrimet tona, synimet, zgjedhjet - vijoi Papa – që më pas vuri në pah mënyrën se si i flet Zoti njeriut:

“Për besimtarin, Fjala e Zotit nuk është thjesht tekst për t'u lexuar, Fjala e Zotit është prani e gjallë, është vepër e Shpirtit Shenjt që ngushëllon, udhëzon, jep dritë, forcë, freskim dhe entuziazëm për jetën. Po të lexosh Biblën, të lexosh një pjesë, një ose dy pjesë të Biblës, të duken si telegrame të vogla nga Zoti, që arrijnë menjëherë në zemrën tënde. Fjala e Zotit është paksa -  pa e tepruar, e? – parashijim i vërtetë i Parajsës”.


Ndihmë, që vjen nga marrëdhënia e përzemërt me Zotin

Një ndihmë tjetër, nga e cila mund të përfitohet përmes aftësisë dalluese, është ajo që buron nga "marrëdhënia e ngushtë me Shkrimin Shenjt": marrëdhënia e përzemërt me Zotin:

“Shumë herë mund të kemi një ide të shtrembëruar për Zotin, duke e konsideruar atë si gjykatës të papajtueshëm, të ashpër, të gatshëm për të na kapur në gabim. Jezusi, përkundrazi, na zbulon një Zot plot dhembshuri dhe butësi, gati të flijojë veten për të na takuar, ashtu si babai në shëmbëlltyrën e djalit plangprishës”.

Papa tregon se gjatë viteve kur ishte në Argjentinë, ndërsa po bëhej shtegtimi vjetor i të rinjve në Shenjtëroren e Lujanit, 70 km larg Buenos Ájres, gjatë gjithë natës iu kushtua rrëfimeve. Një djalë, duke iu afruar rrëfyesit, i tha se  e kishte bërë shtegtimin sipas këshillës së nënës, e cila e kishte siguruar se duke shkuar te Zoja, do të kuptonte shumë gjëra. Kështu edhe ndodhi; gjatë shtegtimit pati rastin të dëgjonte Fjalën e Zotit, që ia preku zemrën, duke e ndihmuar të kuptonte çfarë duhej të bënte. Një shembull që flet vetë për ndikimin e Fjalës së Zotit në shpirtin e çdo njeriu, "sepse Zoti nuk dëshiron të na shkatërrojë, Zoti do që të jemi më të fortë, më të mirë, ditë për ditë" - pohoi Françesku - që shtoi se duke menduar për Kryqëzimin, ndjen "një paqe të re" dhe mëson "të mos kesh frikë nga Zoti":

“Jezusi mbi kryq nuk tremb kënd, është figurë e pafuqisë së plotë e, njëkohësisht, e dashurisë më të plotë, i aftë për të përballuar çdo provë për ne”.

Në kryq - saktësoi Papa - “nuk ka gjykim, madje as nënshtrim, sepse kryqi përshkohet nga një dritë më e madhe”, ajo e Pashkëve, e cila na lejon të shohim përtej “një projektimi më të madh, të cilin s’ka pengesë as dështim që mund ta zhdukë”.

“Fjala e Zotit të bën të shikosh gjithmonë anën tjetër: domethënë këtu është kryqi, është i shëmtuar, por ka edhe një gjë tjetër, ka shpresë,  ringjallje. Fjala e Zotit t’i hap të gjitha dyert, sepse Ai është dera, Ai është Zoti. Le të marrim në dorë Ungjillin, të marrim Biblën: pesë minuta në ditë, jo më shumë. Mbani një Ungjill xhepi me vete, në çantën tuaj dhe kur udhëtoni, merreni pak dhe lexoni një pjesë të vogël gjatë ditës, duke e lënë Fjalën e Perëndisë t'i afrohet zemrës suaj. Bëjeni këtë, dhe do të shihni sesi do të ndryshojë jeta juaj!”.

Miqësia me Zotin

Marrëdhënia me Zotin është miqësi që rritet dita-ditës, sqaron Françesku:

“Miqësia me Zotin ka aftësinë të ndryshojë zemrat; është një nga dhuratat e mëdha të Shpirtit Shenjt, është dhembshuria, që na bën të aftë të njohim atësinë e Zotit. Kemi një Atë të butë, një Atë të dashur, një Atë që na do, që na deshi gjithmonë: kur e takojmë, zemra shkrihet e shemben dyshimet, frika, padenjësia. Asgjë nuk mund t’i kundërvihet dashurisë së takimit me Zotin”.

Ndihma e Shpirtit Shenjt

Së fundi, një ndihmë e mëtejshme në aftësinë dalluese, është "dhurata e Shpirtit Shenjt”, e pranishme në ne. Na mëson, sjell në jetë Fjalën e Zotit   që e lexojmë, zbulon kuptime të reja, hap dyer, që dukeshin të mbyllura, tregon shtigjet e jetës, ku dukej se kishte vetëm errësirë ​​dhe pështjellim”. Shpirti Shenjt "i jep jetë shpirtit" - vazhdoi Papa - duke na ftuar ta lëmë Shpirtin e Zotit të hyjë në zemrat tona dhe t'i flasim atij ashtu si flitet me Jezusin. "Shpirti Shenjt është aftësi dalluese në veprim, prani e Zotit në ne,  është dhuratë, dhurata më e madhe, të cilën Ati ua jep atyre, që e kërkojnë”. Miqësia me Shpirtin Shenjt na ndryshon, na bën të rritemi!

Qëllimi i të dalluarit

Së fundi, Papa përmblodhi qëllimin e aftësisë dalluese, domethënë njohjen e shpëtimit të Zotit, në jetën e çdo njeriu. Françesku ritheksoi edhe një herë se Shpirti Shenjt është gjithmonë me ne, pranë nesh, se duhet ta vijojmë dialogun me të, gjithmonë, dhe të ecim përpara me "guxim e gëzim".

21 dhjetor 2022, 12:00

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >