Kërko

Françesku: të kërkojmë një zemër baritore, si ajo e Jezusit, Bariut të Mirë

Në ciklin e ri të katekizmit të audiencës së përgjithshme, kushtuar “pasionit për ungjillëzimin dhe zellit apostolik", nisur javën e kaluar, Françesku na nxit të reflektojmë për Jezusin, "modelin e pakalueshëm të kumtimit". Zoti ka "mall të pashuar për ne".

R.SH. / Vatikan

"Krishti jo vetëm që ka fjalë jete, por e bën edhe jetën e vet fjalë". Në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sallën Pali VI, Papa Françesku kujtoi se në ditët e Jezusit "në radhë të parë është afërsia me Atin, lutja". Përdor, më pas, një figurë, që të kujton menjëherë stilin e jetës së Krishtit:

“Na e ofron vetë Jezusi, duke folur për veten e tij si Bariu i Mirë, si ai që - pohon – ‘jep jetën e vet për delet’ (Gjn 10,11). Zanati i bariut nuk ishte thjesht punë, që kërkonte shumë kohë e edhe shumë mund; ishte mënyrë e mirëfilltë jetese: njëzet e katër orë në ditë duke jetuar me grigjën, duke e shoqëruar në kullotë, duke fjetur ndërmjet deleve, duke u kujdesur për më të ligshtat. Me fjalë të tjera, Jezusi nuk bën për ne “diçka”, por gjithçka:  jep jetën për ne. Zemra e tij është zemër baritore (shih Ez 34.15)”.

Bariu i Mirë

Për ta përmbledhur me një fjalë të vetme veprimtarinë e Kishës, shpesh përdoret termi "baritor" – kujtoi në vijim Papa:

“E për të vlerësuar baritorinë tonë, duhet ta krahasojmë veten me modelin, Jezusin, Bariun e Mirë. Para së gjithash, mund ta pyesim veten: a i përngjajmë duke shuar etjen në burimet e lutjes, në mënyrë që zemra jonë të jetë në harmoni me të Tijën? Intimiteti me të është, siç shkruhet në vëllimin e bukur të Abbot Chautard, ‘shpirti i çdo apostullimi’. Vetë Jezusi ua tha qartë dishepujve të vet: ‘Pa mua  nuk mund të bëni asgjë’ (Gjoni 15.5). Nëse je me Jezusin, zbulon se zemra e tij baritore rreh gjithmonë për  të treturin, të humburin, të largtin. E zemra jonë?”.

Zelli i Zotit

Bariu i Mirë i do të gjithë dhe dëshiron t’i shpëtojë ata që shkojnë në rrugë të gabuar. Papa Françesku nënvizon se “Zoti nuk mendon për stanin e deleve të Tij, as nuk i kërcënon, që të mos ikin. Përkundrazi, nëse ndonjëra nga delet humbet nëpër pyll, nuk e braktis, por e kërkon”:

“Zoti vuan për atë që ikën e, duke e vajtuar, e do edhe më shumë. Zoti vuan, kur ne largohemi nga zemra e tij. Vuan për ata, që nuk e njohin bukurinë e dashurisë së Tij, ngrohtësinë e rrokjes të Tij. E megjithatë, si kundërpërgjigje ndaj kësaj vuajtjeje, nuk mbyllet në vetvete, por rrezikon: lë nëntëdhjetë e nëntë delet që janë në duar të sigurta dhe niset për të vetmen, atë që mungon, duke bërë kështu diçka të rrezikshme, si bixhozi, madje të paarsyeshme, por në përkim me zemrën e tij baritore, që i mungon kush u largua; nuk zjen nga zemërimi, as nga inati. Çka ndjen, është malli i paepur për ne. Është zelli i Zotit”.

Nuk bëhet fjalë për prozelitizëm

Po ne - pyet Papa Françesku - a kemi ndjenja të ngjashme? A i shohim ata që e lanë grigjën si kundërshtarë, ose si armiq? Duke i takuar në shkollë, në punë, në rrugët e qytetit, pse të mos mendojmë se kemi mundësi t'u dëshmojmë atyre gëzimin e Atit, që i do e që nuk i ka harruar kurrë?

“Nuk mungon fjala e mirë për ta, e ne kemi për nder e detyrë t’ua përcjellim. Sepse Fjala, Jezusi, na e kërkon këtë. Ndoshta ne e ndjekim dhe e duam Jezusin prej kohe e nuk e kemi pyetur veten nëse kemi në shpirt ndjenjat e Tij, nëse vuajmë dhe rrezikojmë në harmoni me zemrën e Tij baritore! E ky nuk është prozelitizëm, për t’i bërë të tjerët ‘tonët’, por për t’i bërë fëmijë të lumtur të Zotit. Ta kërkojmë në lutje hirin e një zemre baritore”.

Zemra baritore është e hapur për të tjerët, është pranë të gjithëve. “Pa këtë dashuri, që vuan e rrezikon - përfundoi Papa – rrezikojmë të kullosim vetëm vetveten, jo grigjën!”.

18 janar 2023, 12:25

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >