Kërko

Papa: në fe ecet së bashku, brishtësia na bën të aftë për dashuri

“Shoqërim shpirtëror” titullohet katekizmi, me të cilin përfundon seria kushtuar temës së aftësisë dalluese. Papa Françesku nënvizoi sa rëndësi ka të mos ecësh i vetëm në udhën e fesë, t’u çjerrësh maskën keqkuptimeve të mundshme për vetveten dhe të ndash me dikë çka të mundon, pa i fshehur anët më të brishta. Dështimi "na bën të aftë për butësi, mëshirë, dashuri. Na bën njerëzorë"

R.SH. / Vatikan

Katekizmi i fundit kushtuar temës së aftësisë dalluese, ky që Papa Françesku mbajti në audiencën e përgjithshme të kësaj të mërkure. Një hetim për të gjetur "ndihmat që mund dhe duhet të na mbështesin" ndërmjet të cilave rëndësi të veçantë ka pikërisht shoqërimi shpirtëror, sot në qendër të reflektimit:

“Llambë për hapat e mi është fjala jote, dritë mbi shtegun tim. [...] Të mrekullueshme janë mësimet tuaja: prandaj i ruaj”. (Ps. 118 [119],105)                      

Mos kini frikë ta ndani brishtësinë tuaj

Papa hyri në temë duke kujtuar se shoqërimi shpirtëror është "i rëndësishëm sidomos për njohjen e vetvetes", e se është "kusht i domosdoshëm për dallimin". “Të shikohesh në pasqyrë, i vetëm, nuk  të ndihmon gjithmonë” – vazhdoi - sepse vjen një tjetër e të thotë të vërtetën që mund të mos e shohësh. Françesku vëren se mbi të gjitha, është themelore  të njohësh vetveten, e sidomos, dobësitë  tuaja:

“Brishtësia është pasuria jonë e vërtetë, ne jemi të pasur në brishtësi, të gjithë, pasuria e vërtetë që duhet të mësohemi ta respektojmë dhe ta mirëpresim, sepse, kur i ofrohet Zotit, na bën të aftë për butësi, mëshirë, dashuri. Ruaju nga njerëzit që nuk e ndjejnë veten të brishtë: janë të ashpër, diktatorialë. Ndërsa njerëzit që i pranojnë përvujtërisht dobësitë e tyre, i kuptojnë shumë, shumë më mirë të tjerët. Mund të them se brishtësia na bën njerëz. Nuk është rastësi që i pari nga tre tundimet e Jezusit në shkretëtirë - ai që lidhet me urinë - përpiqet të na grabisë brishtësinë tonë, duke na e paraqitur atë si një të keqe që duhet flakur tutje, sepse na pengon të jemi si Zoti. Ndërsa është thesari ynë më i çmuar:  Zoti, për të na bërë të ngjashëm me Të, deshi të ndajë brishtësinë tonë deri në fund të fundit”

Bisedat çliruese të Jezusit në Ungjill

Ndihmë, që na jepet nga shoqërimi shpirtëror - pohoi Papa - është mundësia e "demaskimit të keqkuptimeve, madje edhe të rënda, lidhur me vlerësimin e vetvetes dhe me marrëdhënien tonë me Zotin". Mendoni sa herë Ungjilli kujton bisedat e Jezusit, të cilat bëhen përvojë çlirimi dhe shpëtimi për tjetrin, si në rastin e gruas samaritane, të Zakeut, të gruas mëkatare, Nikodemit, dishepujve të Emausit:

“Të tregosh përballë tjetrit çka ke jetuar apo çka kërkon, të ndihmon të sqarosh veten, duke nxjerrë në dritë mendimet e shumta që na vlojnë e që shpesh na shqetësojnë me refrenet e tyre këmbëngulëse. Sa herë, në çaste  të errëta, na vijnë mendime të tilla: ‘Kam gabuar në gjithçka, nuk kam pikë vlere, askush nuk më kupton, nuk do t’ia arrij kurrë qëllimeve, jam i dënuar me dështim. Sa herë na vijnë e na shkojnë këto mendime. Mendime të rreme dhe helmuese, ballafaqimi i të cilave me tjetrin na ndihmon ta heqim maskën, në mënyrë që të ndihemi të dashur dhe të vlerësuar nga Zoti për atë që jemi, të aftë për të bërë gjëra të mira për Të”.

Shkohet përpara nëse nuk ecën vetëm

Papa Françesku nënvizoi, më pas, se kushdo që shoqëron “nuk e zëvendëson Zotin”, as njeriun e shoqëruar, por “ec përkrah tij”, duke e inkurajuar të lexojë brenda vetes. Por shoqërimi jep fryte nëse jeton “bijëri dhe vëllazëri shpirtërore”, nëse nuk je i vetëm, por “i radhitur në një bashkësi”:

“Ashtu si në historinë ungjillore të të paralizuarit, ne shpesh mbështetemi dhe shërohemi falë fesë së dikujt tjetër; herë të tjera e marrim ne vetë atë zotim në ndihmë të një vëllai a të një motre. Pa përvojën e birësisë e të vëllazërisë, shoqërimi mund të lindë pritshmëri të pavërteta, keqkuptime, forma varësie, që e lënë njeriun në një gjendje foshnjore”.

Shembulli i Marisë

Virgjëra Mari është mësuese e aftësisë dalluese, vëren Papa: Maria "flet pak, dëgjon shumë dhe ruan në zemër". Ajo tregon gjithnjë Jezusin, por nuk duhet harruar se fjalët e saj: "Bëj çfarë të thotë Ai" janë mandat për të gjithë të krishterët:

“Bëni atë, që na thotë Jezusi. Maria e di se Zoti i flet zemrës së të gjithëve dhe kërkon që kjo fjalë të shndërrohet në veprime dhe në zgjedhje. Ajo dinte ta bënte këtë më shumë se kushdo tjetër, gjithnjë e pranishme në çastet themelore të jetës së Jezusit, veçanërisht në orën supreme të vdekjes së tij në kryq”.

Zëri i Zotit na thotë: mos kini frikë

Françesku e përfundoi reflektimin duke theksuar se “dallimi është art” që mund të mësohet nëse dëshiron të rritesh shpirtërisht dhe, mbi të gjitha, është “dhuratë e Zotit” që duhet kërkuar gjithmonë. Zoti, pohoi Papa, na inkurajon dhe na mbështet, sa herë që në Ungjill lexojmë fjalët e Jezusit: "Mos ki frikë" ose "Mos kini frikë":

“Mos ki frikë!”, na përsërit edhe ne Zoti: nëse besojmë në fjalën e tij, do të dimë ta luajmë mirë lojën e jetës dhe do të mund të ndihmojmë edhe të tjerët. Siç thotë Psalmi: Fjala e tij është llambë për hapat tonë dhe dritë në shtegun tonë”.

04 janar 2023, 12:00

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >