Kërko

Françesku: misioni është oksigjeni i jetës së krishterë

Papa, në audiencën e sotme të përgjithshme, nisi një cikël të ri katekizmi kushtuar “pasionit për ungjillëzimin”; kumtimi gazmor i Ungjillit deri në skajet më të humbura të tokës është përmasë jetike për Kishën. Kërkon që secili ta nisë nga mjedisi i vet, pa prozelitizëm, për forcë tërheqëse, siç na mëson Benedikti XVI. E pasioni për Ungjillëzimin, zelli apostolik, është edhe tema e katekizmit të ri, që nisi sot

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku e nisi ciklin e ri të katekizmit, duke kujtuar  se “do të trajtojë një temë të ngutshme e vendimtare për jetën e krishterë dhe për Kishën”. Sepse - vijoi - Kisha lindi misionare, ndaj është e thirrur të jetë "dëshmitare, që të bën mik të pandarë me Jezusin e të mëson ta rrezatosh dritën e Tij deri në skajet më të largëta e më të braktisura të tokës". Më pas theksoi se të jesh misionar nuk do të thotë të bëhesh prozelit, mbasi ungjillëzimi dhe prozelitizmi nuk janë e njëjta gjë, janë krejt të ndryshme.

Misioni, oksigjeni i jetës së krishterë

Ndodh edhe që dëshira e daljes, e arritjes tek të tjerët për t'u shpallur Ungjillin - vërejti Papa - mund të shuhet. Ndonjëherë duket sikur mbi të bie eklipsi. Po kur jeta e krishterë humbet nga sytë horizontin e kumtimit,  sëmuret: mbyllet brenda vetes, vetëvlerësohet, atrofizohet. Pa zellin apostolik, besimi fishket, oksigjeni shteron. Sepse misioni është oksigjeni i jetës së krishterë: e forcon, e frymëzon, e pastron atë”.

 Prandaj, këto katekizma kanë për qëllim "t’i fryjnë zjarrit që Shpirti Shenjt dëshiron ta ndezë gjithnjë brenda nesh". E katekizmi i parë lidhet ngushtë me një episod, që na e kujton Ungjilli: me thirrjen e Mateut Apostull. Jezusi - tregon vetë Mateu – sheh burrin në këtë tagrambledhës të përbuzur nga të gjithë, ngaqë konsiderohet "bashkëpunëtor, tradhtar i popullit". Françesku nënvizon pikërisht këtë “sheh", domethënë, vështrimin e dashurisë me të cilin Jezusi i afrohet këtij mëkatari. Gjithçka nis prej aty - pohoi Papa:

Mund të pyesim veten: me ç’sy i shohim të tjerët? Sa herë shohim të metat dhe jo nevojat e tjetrit? Sa herë i etiketojmë njerëzit duke u nisur nga ajo që bëjnë apo që mendojnë! E edhe si të krishterë, nuk ngurrojmë të themi: është një nga ne, apo nuk është prej nesh? Po Jezusi nuk e shikon askënd me këtë sy. Krishti e shikon secilin me mëshirë e parapëlqim. E të krishterët duhet të bëjnë si Krishti, duke i shikuar si Ai posaçërisht të ashtuquajturit ‘të largët’”.

Mateu i përgjigjet shikimit të Jezusit sy për sy - vijoi  Papa - bën një lëvizje, ngrihet dhe e ndjek pas. Françesku vëren se shprehja "u ngrit", detaj i fragmentit ungjillor, është tejet e rëndësishme, mbasi shënon shkëputjen e Mateut nga pushteti. “Në ato ditë - vijon të shpjegojë Papa - kushdo që ishte i ulur, kishte autoritet mbi të tjerët, në këmbë përballë tij”. Kështu Jezusi i hap Mateut "horizontet e shërbimit":.

Këtë që bën Krishti, e kjo është themelore për të krishterët: ne dishepujt e Jezusit; ne, Kisha, jemi ulur duke pritur që njerëzit të vijnë, apo dimë të brofim në këmbë, të nisemi me të tjerët, t’i kërkojmë të tjerët?”

Kjo pyetja kryesore që na bën të gjithëve Papa në këtë katekizëm kaq kërkues. Pasuar nga një pyetje tjetër: “Mateu u vu në lëvizje, por për çfarë? - pyet Papa Françesku - Do të mendonim për kush e di çfarë përvojash të reja! Po, në vend të kësaj, dishepulli i ardhshëm kthehet në shtëpinë e tij për të përgatitur, siç rrëfen Ungjilli i Lukës, "një gosti të jashtëzakonshme", në të cilën merr pjesë "një turmë e madhe taksambledhësish”, njerëz si ai. E Papa komenton:

Mateu kthehet në mjedisin e tij, por i ndryshuar. Kthehet me Jezusin. Zelli i tij apostolik nuk fillon në një vend të ri, të pastër dhe ideal, por aty ku jeton, me njerëzit që njeh. E ky është mesazhi, i cili na drejtohet: nuk duhet të presim sa të përsosemi, sa të kemi bërë një rrugë të gjatë në ndjekje të Jezusit, për ta dëshmuar; kumtimi ynë nis sot e këtu, ku jetojmë. E nuk fillon duke u përpjekur për t’i bindur të tjerët me fjalë, por  me dëshmimin e përditshëm të Bukurisë e të Dashurisë, që na pa të rrëzuar e na ngriti përsëri në këmbë”.

Në përfundim Françesku kujtoi një shprehje të Benediktit XVI lidhur me këtë: "Kisha nuk bën prozelitizëm. Ajo zhvillohet më tepër përmes tërheqjes”. Dhe pikërisht kjo “dëshmi tërheqëse dhe e gëzueshme”- përfundoi Françesku – është caku drejt të cilit na çon dashuria e Jezusit.

Feja nxit rritjen shpirtërore

Duke përshëndetur besimtarët e gjuhës polake, të pranishëm në audiencën e sotme të përgjithshma Papa Françesku tha:

"Përshëndes përzemërsisht polakët. Ditët e fundit e kemi falënderuar Zotin për personin, mësimin dhe shembullin e Papës së Nderit Benedikti XVI. Feja e tij ju nxittë në rritjen shpirtërore, bazuar mbi të vërtetën e Ungjillit dhe në dashurinë vëllazërore, dëshmuar në familje, në vendin e punës dhe në jetën shoqërore. Ju bekoj me gjithë zemër”.

11 janar 2023, 12:06

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >