Kërko

Papa nderon Zojën, Floriana, Maltë Papa nderon Zojën, Floriana, Maltë

Malta, Papa përsërit: lufta në Ukrainë është “sakrilegj”

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, pas Meshës kremtuar në Sheshin e Hambareve, në Floriana, Françesku i përshëndeti maltezët dhe i falënderoi për mikpritjen. Kujtoi edhe një herë “tragjedinë humanitare” të Ukrainës së martirizuar. Të rinjtë i porositi: “Dashurohuni me Krishtin e mos i harroni gjyshat! Shkrijeni jetën për dashurinë, që ju bën të lirë!”. Urimi i fundit i Papës, në këtë botë të trazuar keqas e të ngarkuar me tmerre të padëgjuara: “Paqja qoftë me ju!”

R.SH. - Vatikan

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, pas meshës në Sheshin e Hambarëve, në Floriana, një përshëndetje falënderimi e lamtumire, drejtuar Presidentit të Republikës dhe Autoriteteve, vëllezërve ipeshkvij, priftërinjve, rregulltarëve dhe të gjithë qytetarëve e besimtarëve të Maltës e të Gozos për mikpritjen dhe përzemërsinë:

“Dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen time Zotit President të Republikës dhe Autoriteteve, vëllezërve të mi ipeshkvij, ju, të dashur priftërinj, rregulltarë e rregulltare, dhe të gjithë qytetarëve dhe besimtarëve të Maltës e të Gozos, për mikpritjen dhe dashurinë me të cilën u prita. Falënderoj edhe ata që punuan për këtë vizitë si dhe vëllezërit e motrat e konfesioneve të ndryshme të krishtera dhe të feve të tjera, që i takova”.

Njerëzit kanë etje për paqen, jo për agresivitetin foshnjor të ndonjë të pushtetshmi

Mendimi i Françeskut shkoi përsëri tek konflikti në Ukrainë, “tragjedi humanitare” e një vendi të martirizuar, me kërkesën për të vijuar lutjen dhe ndihmat për kë vuan për shkak të një lufte, të cilën Papa e quajti përsëri “sakrilegj”, siç bëri të dielën e kaluar.

Në shtegtim, ngarkuar me kujtime

Sonte do të nisem për në Romë - kujtoi Françesku - por do t’i marr me vete shumë çaste e fjalë,  që u jetuan e u thanë këtu:

“Posaçërisht do të ruaj në zemër shumë fytyra e, sidomos, fytyrën e ndritur të Maltës”.

Këtë theksoi Papa, duke i falënderuar përsëri të gjithë ata që e mirëpritën përzemërisht e duke u kërkuar të gjithëve të luten për të e me të.

Në këto ishuj - kujtoi në vijim - ndjehet fort prania e Popullit të Zotit. Duke i ftuar, më pas, maltezët ta vijojnë këtë rrugë, e duke kujtuar se feja rritet e forcohet në dhurim. “Vijojeni zinxhirin e shenjtërisë, që i nxit shumë maltezë t’i dhurohen me entuziazëm Zotit e të tjerëve” - ishte ftesa e Papës.  E këtu Françesku u ndalua tek një figurë e ndritur, Dun Ġorġ Preca, shpallur shenjt pesëmbëdhjetë vjet më parë.

Fjalët e fundit të Atit të Shenjtë ishin për të rinjtë, e ardhmja e vendit:

“Ju uroj - u tha - të dashuroheni me Jezusin, Zotin e mëshirës, që beson në ju, ëndërron me ju, i do jetët tuaja e nuk do t’ju zhgënjejë kurrë. Zoti ju shoqëroftë e ju ruajtë”.

Së fundi, ftesa për lutje, duke menduar për tragjedinë humanitare të Ukrainës së martirizuar, akoma nën breshërinë  e bombave. E thirrja:

“Duhet të lutemi pa u lodhur kurrë, e pa u lodhur kurrë t’i ndihmojmë njerëzit, që vuajnë”.

Urimi i fundit, në këtë botë të trazuar keqas e të ngarkuar me tmerre të padëgjuara:

“Paqja qoftë me ju!”

03 prill 2022, 12:47

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >