Kërko

2023.05.31 Udienza Generale, Papa Francesco

Papa: Mateo Ricci në Kinë, Ungjilli i predikuar me dialog e miqësi

Studimi dhe përgatitja ngjallin interes dhe admirim, por çka të tërheq më shumë është koherenca e jetës së krishterë. Në audiencën e përgjithshme Papa Françesku kujtoi sot Matteo Riccin. Jezuiti i madh mundi të hynte në Kinë duke kapërcyer vështirësi e rreziqe e të çonte në atë vend vigan, të vërtetën e fesë së krishterë. Të çonte Krishtin! Duke paraqitur figurën e tij, Françesku vazhdoi ciklin e katekizmit kushtuar zellit apostolik.

R.SH. / Vatikan

Në katekizmin e audiencës së përgjithshme të kësaj së mërkureje, Papa kujtoi një nga ungjillëzuesit e mëdhenj të historisë së krishterë: Matteo Riccin! Vazhdoi kështu ciklin kushtuar temës së zellit apostolik.

Kush ishte Ricci?

Po kush ishte Ricci? Jezuit, me origjinë nga Macerata, në Marche, që kishte një ëndërr e një dëshirë të vetme: të  nisej si misionar në Lindjen e Largët. Edhe pse që nga koha e Françesk Saverit asnjë jezuit tjetër nuk kishte mundur të shkelte në trojet e pafundme e të pashkelura të Kinës. Por Ricci dhe një nga shokët e tij, pasi u përgatitën mirë e mirë duke mësuar gjuhën dhe duke njohur zakonet kineze, mundën të vendoseshin në jug të vendit. Iu deshën jo më pak se 18 vjet të vështira për të arritur në Pekin. Ndaj Papa kujtoi:

“Me ngulm e durim, i frymëzuar nga një fe e palëkundur, Matteo Ricci mundi t’i kapërcejë vështirësitë dhe rreziqet, mosbesimin dhe kundërshtimin. Eci gjithnjë  në rrugën e dialogut dhe të miqësisë me të gjithë njerëzit që takonte. E pikërisht kjo i hapi shumë dyer, për të shpallur fenë e krishterë”.

E vërteta e fesë së krishterë, në dialog me kulturën kineze

Fryma e miqësisë ishte një aspekt i përhershëm i jetës së shtegtarit të madh, që  kërkonte gjithnjë mënyrën më të mirë "për t'u përshtatur me kulturën dhe jetën" e popullit kinez, deri në atë pikë, sa të vishej si bonz budist. Ngaqë e kuptoi -  shpjegoi Papa - se duhej "të merrte përsipër stilin e jetës dhe veshjen e njerëzve të letrave" dhe të studionte tekstet e tyre në mënyrë që të mund ta paraqiste krishterimin në dialog me kulturën dhe zakonet e shoqërisë kineze. Shumë shpejt përgatitja e tij shkencore ngjalli interes dhe admirim në botën e madhe të njerëzve të arsimuar:

“Njohuritë matematikore dhe astronomike të Riccit dhe ndjekësve të tij misionarë,  dhanë ndihmesën e tyre për një takim të frytshëm të kulturës dhe shkencës së Perëndimit me atë të Lindjes, e cila do të jetonte atëhere një nga kohët më të lumtura, nën shenjën e dialogut dhe të miqësisë”.

Udhë  e dijes, bamirësisë, përvujtërisë

 Por synimi kryesor i gjithë veprimtarisë së Matteo Riccit - vërejti Françesku - ishte "shpallja e Ungjillit". Besimi i fituar në fushën shkencore i dha autoritetin për të propozuar përmbajtjen e fesë të tij:

“Përveç doktrinës, ishte dëshmia e tij për jetën rregulltare, të virtytshme, me lutje, bamirësi, përvujtëri, çkujdesje të plotë për nderimet dhe pasuritë, ajo që i bëri shumë nga dishepujt dhe miqtë e tij kinezë ta pranojnë fenë katolike”.

Stili i tij misionar, model i vlefshëm edhe për sot

Papa Françesku nënvizoi zellin e madh apostolik të jezuitit, i cili vdiq në moshën 57-vjeçare, i shkrirë nga lodhja e gatishmëria e vazhdueshme për shërbim, duke kujtuar se ditët e fundit të jetës nuk dinte a duhej të ndihej më i lumtur me idenë se po shkonte atje ku do të shihte Zotin, apo më i trishtuar nga mendimi se nuk do të mund ta vazhdonte misionin. Vdiq! Po shpirti i tij dhe metoda e tij - vazhdoi Papa Françesku - mbeten "model i gjallë dhe aktual":

“Dashuria e tij për popullin kinez, e ushtruar konkretisht në miqësi përzemërsisht reciproke nga kinezët, mbetet gurrë e qëndrueshme frymëzimi jo vetëm për çdo marrëdhënie ndërmjet Kishës Katolike dhe Kinës, por edhe kulturës perëndimore dhe asaj kineze! E i kujtojnë mbarë botës se burrat dhe gratë e çdo vendi mund të jetojë si vëllezër dhe motra”.

Të rinjtë rusë dhe ukrainas së bashku pavarësisht nga lufta

Në përfundim të katekizmit, në përshëndetjet drejtuar besimtarëve italishtfolës, Papa u drejtoi një përshëndetje të veçantë të rinjve të “Rondine Cittadella della Pace” të Arezzo-s, të shoqëruar nga ipeshkvi, imzot Andrea Migliavacca. I siguroi ata se i mirëpret me dashuri e, duke i hedhur një sy tmerreve që po jeton sot bota e posaçërisht Ukraina, shtoi:

“Mirënjohje për ata që, duke ardhur nga Ukraina, Rusia dhe vende të tjera në luftë, vendosen të mos jenë armiq, por të jetojnë si vëllezër. Shembulli juaj mund të ngjallë mendime paqeje tek të gjithë, edhe tek ata që kanë përgjegjësi politike”.

31 maj 2023, 11:32

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >