Kërko

Papa: Zoti ka matematikën e vet, dhuratat e tij janë bërë për t'u ndarë

Në katekizmin e nëntë të audiencës së përgjithshme kushtuar veseve dhe virtyteve, Papa Françesku ndalohet te zilia dhe kotësia. E para, e cila nuk mund ta durojë lumturinë e të tjerëve, ka në bazë një ide të rreme për Zotin, logjika e të cilit është dashuria. E dyta, tipike për ata që "vlerësojnë vetëm vetveten”, të çon në shfrytëzimin e të tjerëve, duke u përpjekur gjithnjë t’i sundojë! Ilaçet janë dashuria falas dhe vetëdija se Zoti është i pranishëm në ligështi!

R.SH. Vatikan

Ende pak i ftohur, me zë pakëz të lodhur, gjatë audiencës së përgjithshme në Sallën Pali VI, në Vatikan, Papa Françesku ia besoi leximin e katekizmit të tij të nëntë kushtuar veseve dhe virtyteve, Imzot Filippo Ciampanelli-t, zyrtar i Sekretarisë së Shtetit. Në tekstin e përgatitur, Papa u ndalua te zilia dhe kotësia, dy vese tipike për ata që “dëshirojnë të jenë qendra e botës”, që duan të “shfrytëzojnë gjithçka dhe të gjithë” dhe të jenë “objekt i të gjitha lavdatave dhe i të gjitha dashurive”, vese që mund të luftohen vetëm me mësimet e Shën Palit. Zilia, ndërmjet "veseve më të vjetra" - shpjegoi Françesku – përshkruhet që në faqet e para të Shkrimit Shenjt. Pasqyrohet në "urrejtjen e Kainit ndaj vëllait të tij Abelit", flijet e të cilit "i pëlqejnë Zotit". Kainin e trishton ky pëlqim dhe, duke mos mundur ta durojë “lumturinë e të vëllait", e vret:

 “Fytyra e ziliqarit është gjithnjë e trishtuar: ecën me sy përdhe aq, sa të duket se po shqyrton vazhdimisht tokën, por në të vërtetë nuk sheh asgjë, mbasi e ka mendjen plot e përplot me mendime të mbrapshta. Zilia, nëse nuk kontrollohet, të çon në urrejtjen ndaj të tjerëve”.

"Matematika" e Zotit

Në bazën të zilisë "janë marrëdhëniet e urrejtjejes dhe të dashurisë" – shpjegoi në vijim Papa:  duam të keqen e tjetrit, ndërsa digjemi nga dëshira “për të qenë si ai", e "fati i tij na duket si padrejtësi ndaj nesh”.  Këtu nuk mungon as ideja e rreme për Zotin. Nuk pranohet që Zoti të ketë ‘matematikën’ e tij, të ndryshme nga jona". Pikërisht këtë na kujton Jezusi përmes shëmbëlltyrës së punëtorëve të punësuar nga pronari i një vreshti në orë të ndryshme të ditës. Ata që u punësuan të parët "besojnë se kanë të drejtë për një pagë më të lartë se ata që  erdhën të fundit, por pronari u jep të gjithëve të njëjtën". E atyre që kundërshtojnë, u përgjigjet: "Thua nuk mund të bëj me gjërat e mia atë që dua? Apo ti ke zili sepse jam i mirë?”:

“Duam ta mësojmë Zotin me logjikën tonë egoiste, ndërsa logjika e Zotit është dashuria. Të mirat që na jep, janë bërë për t'u ndarë. Prandaj Shën Pali i nxit të krishterët “ta duan njëri-tjetrin me dashuri vëllazërore e të konkurrojnë në vlerësimin e njëri-tjetrit. Ky është ilaçi kundër zilisë!”

 Vetëmburrja e mendjemadhit

Për sa i përket vetëlavdatës, ‘vetëmburrja e fryrë e pabazë’ është tipike për kë beson se ai është e s’ka tjetër, ndaj nuk i përfill aspak të tjerët - vazhdoi Françesku - përkundrazi, i shfrytëzon, synon t'i nënshtrojë, kërkon vëmendje, sepse do t'ua tregojë të gjithëve bëmat dhe sukseset e tij! E,  kur "cilësitë e tij shpërfillen, zemërohet keqas”.

 Hiri i Zotit në ligshtinë e njeriut

Shembull i kësaj natyre, është murgu i përshkruar nga Evagrius Ponticus i cili, “pas sukseseve të para në jetën shpirtërore, ndihet si i përkryer, ndaj nxiton të hyjë në botë, për të marrë lëvdatat e saj", duke mos kuptuar aspak se është vetëm në fillim të udhës, në të cilën do të ndeshet me tundime të reja. Atëhere "lavdatat që i dashuruari me vetveten shpresonte t’i korrte, do të kthehen sakaq kundër tij" - theksoi Papa - duke kujtuar se shumë "njerëz, të mashtruar nga pamja e rreme e vetvetes, ranë edhe në mëkate" për të cilat më pas turpërohen:

“Këshillën më të bukur për ta mundur kotësinë mund ta gjejmë në dëshminë e Shën Palit. Apostullit iu desh t’i bënte gjithnjë hesapet me një të metë, të cilën nuk mundi ta kapërcejë kurrë. Tri herë i kërkoi Zotit ta çlironte nga ai mundim, derisa Jezusi iu përgjigj: ‘Të mjafton hiri im; forca manifestohet plotësisht në ligështi’. Që nga ajo ditë Pali u lirua. Përfundimi i tij duhet të jetë edhe yni: ‘Prandaj do të krenohem me kënaqësi për ligështitë e mia, që të banojë në mua fuqia e Krishtit".  

28 shkurt 2024, 11:33

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >