Papa u bën thirrje liderëve botërorë të angazhohen për marrëveshjen e paqes në Gaza
R.SH. – Vatikan
Ati i Shenjtë Leoni XIV është i shqetësuar për rritjen e "urrejtjes antisemite në botë", e cila u shpreh me sulmin terrorist në sinagogën e Mançesterit, më 2 tetor, dhe vazhdon të jetë i pikëlluar për vuajtjen e palestinezëve në Gaza. Por në fjalët e Papës para lutjes së sotme të Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit, në fund të Meshës për Jubileun e botës misionare dhe të migrantëve, ka edhe shpresë.
Në këto orë të fundit, në situatën dramatike të Lindjes së Mesme, po bëhen disa hapa të rëndësishëm përpara në negociatat e paqes, të cilat shpresoj të arrijnë sa më shpejt rezultatet e dëshiruara. U kërkoj të gjithë përgjegjësve të angazhohen në këtë rrugë, të ndalojnë zjarrin dhe të lirojnë pengjet. Ndërsa nxis të qëndrojmë të bashkuar në lutje, në mënyrë që përpjekjet aktuale të mund t'i japin fund luftës dhe të na çojnë drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.
Faleminderit atyre që lusin Rruzaren për paqe
Papa na fton gjatë muajit tetor të bashkohen shpirtërisht me besimtarët e mbledhur për Lutjen drejtuar Zojës Rruzare në Kisha dhe Shenjtërore të ndryshme si në Pompei të Italisë e kudo në botë. Në këtë muaj tetor, duke soditur me Marinë Virgjër misteret e Krishtit Shpëtimtar, ne intensifikojmë lutjen tonë për paqe, një lutje që bëhet solidaritet konkret me popullatat e martirizuara nga lufta. Faleminderit shumë fëmijëve që në të gjithë botën janë angazhuar ta lusin Rruzaren Shenjte për këtë qëllim. Faleminderit nga zemra!
Afërsi dhe lutje për Filipinet e goditura nga tërmeti
Para se të kërkonte të luteshin për ata që vuajnë nga konfliktet aktuale në botë, Papa Leoni XIV kujtoi "tërmetin e fortë" që goditi rajonin qendror të Filipineve, veçanërisht provincën Cebu dhe provincat fqinje, mbrëmjen e së martës, më 30 shtator.
Shpreh afërsinë time me popullin e dashur filipinas, dhe në veçanti lutem për ata që janë më të prekur nga pasojat e tërmetit. Të qëndrojmë të bashkuar dhe solidarë në besimin te Zoti, dhe në ndërmjetësimin e Nënës së Tij në çdo rrezik.
Papa Leoni XIV përshëndeti të gjithë shtegtarët e pranishëm, në veçanti “besimtarët, mes të cilëve disa të rinj nga Betlehemi, që mbajnë statujën e Virgjërës Mari të Zbulesës”.